Banka Qendrore e Rusisë: Plani i BE për të përdorur asetet e ngrira, i paligjshëm

Banka Qendrore e Rusisë tha të premten se planet e Bashkimit Evropian për t’i përdorur asetet e saj janë të “jashtëligjshme” dhe se ajo gëzon të drejtën për t’i përdorur të gjitha mjetet e në dispozicion për mbrojtjen e interesave të veta.
Në një komunikatë, Banka Qendrore tha se po e padit institucionin financiar me qendër në Bruksel, Euroclear – i cili mban shumë nga asetet ruse – në një gjykatë në Moskë për shkak të atyre që ajo i përshkroi si “veprime dëmtuese”.
“Mekanizmat e përdorimit të drejtpërdrejtë apo tërthorazi të aseteve të Bankës së Rusisë, si dhe çdo formë tjetër e përdorimit të paautorizuar të aseteve të Bankës së Rusisë, janë të paligjshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, përfshirë shkeljen e parimeve të imunitetit sovran të aseteve”, tha banka.
Ajo iu referua një njoftimi për shtyp të Komisionit Evropian, i publikuar më 3 dhjetor, i cili parashtroi dy zgjidhje për t’i mbështetur nevojat financiare të Ukrainës në vitet 2026 dhe 2027.
Sipas njërës prej këtyre zgjidhjeve, Komisioni do të ishte në gjendje t’i marrë hua bilancet e parave të gatshme nga institucionet financiare të BE-së që mbajnë asetet e ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë, për ta lëshuar një hua dëmshpërblimi për Ukrainën.
Zyrtarët rusë kanë thënë vazhdimisht se një veprim i tillë do të merrte “përgjigjen më të ashpër”.
Qeveritë e Bashkimit Evropian synojnë të arrijnë pajtueshmëri të premte për t’i ngrirë asetet e Bankës Qendrore të Rusisë, të cila janë të bllokuara në Evropë, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, duke e zëvendësuar nevojën për votim çdo gjashtë muaj për ngrirjen e tyre, thanë diplomatët e BE-së.
Banka Qendrore e Rusisë tha se zbatimi i këtyre planeve do të sfidohet në “gjykatat kombëtare, autoritetet gjyqësore të shteteve të huaja dhe organizatat ndërkombëtare, tribunale arbitrazhi dhe instanca të tjera gjyqësore ndërkombëtare, e ndjekur nga zbatimi i vendimeve gjyqësore në territoret e shteteve anëtare të OKB-së”.



