Bajden i përcjell Netanjahut “shqetësimet e tij të thella” për çështjen Rafah

Presidenti i SHBA-së, Xho Bajden i ka shprehur “shqetësimet e tij të thella” kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu me të cili bisedoi në telefon për “operacionin gjithëpërfshirës tokësor” të Izraelit në Gaza, transmeton Anadolu.
Shtëpia e Bardhë bëri një deklaratë me shkrim në lidhje me bisedën telefonike mes Bajdenit dhe Netanjahut, e cila u zhvillua dje pas një pauze prej rreth një muaji. Sipas deklaratës, Bajden i ka theksuar Netanjahut se ndihma urgjente humanitare për Gazën duhet të rritet ndjeshëm.
Duke vënë theksin në të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur kundër Hamasit, Bajden nënvizoi se Izraeli ka gjithashtu përgjegjësi për të mbrojtur civilët.
“Është diskutuar edhe procesi i marrëveshjes për shkëmbimin e pengjeve që vazhdon në Katar ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Presidenti nënvizoi shqetësimet e tij të thella për mundësinë e një operacioni gjithëpërfshirës tokësor të Izraelit kundër Rafah”, thuhet në deklaratë.
Biden dhe Netanyahu ranë dakord që zyrtarët amerikanë dhe izraelitë duhet të takohen në Washington sa më shpejt të jetë e mundur për të diskutuar se si mund të zhvillohet një operacion në Rafah pa një “operacion gjithëpërfshirës tokësor” dhe diskutuan për çështjen e sigurimit të kufirit midis Gazës dhe Egjiptit.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Xhek Sallivan dje deklaroi se SHBA-ja ishte kundër “operacionit gjithëpërfshirës tokësor” të Izraelit në Rafah, ku janë strehuar më shumë se 1 milion civilë palestinezë.



