Azizi për Komandat Harun Aliun dhe shokët: U kemi borxh të madh atyre që dhanë gjithçka për ne!

Deputeti i koalicionit VLEN, Adnan Azizi, në 15 vjetorin e rënies së Komandant Kushtrimit, ka shkruar se po aq vite zemra shqiptare i kujton me mall dhe krenari.
“Sot shënojmë 15-vjetorin e rënies së Komandant Kushtrimit dhe Komandant Hoxhës.
Pesëmbëdhjetë vite që zemra shqiptare i kujton me mall, me krenari dhe me dhimbje dy nga bijtë më të dashur të kombit tonë.
Harun Aliu, Komandant Kushtrimi, jetoi me idealin e lirisë dhe të qëndresës. Me qetësi, përkushtim dhe dinjitet, ai la një shembull fisnik se si dashuria për kombin nuk matet me fjalë, por me vepra.
Shaban Zenuni, Komandant Hoxha, ishte njeri i urtë dhe i thjeshtë. Gjithmonë në shërbim të njerëzve, gjithmonë në anën e së drejtës. Një jetë e ndershme, një rënie me nder.
U kemi borxh të madh atyre që dhanë gjithçka për ne. E kemi për detyrë ta ruajmë kujtimin e tyre si dritë për brezat që vijnë.
Lavdi përjetë Komandant Kushtrimit dhe Komandant Hoxhës!
Nuk harroheni kurrë!”, ka shkruar Azizi.