Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, bën homazhe te varri i Blerina Jasharit

Çedomir Stojkoviq, avokat i politikanit serb, Nikolla Sandulloviq, ka vendosur sot lule te varri i Blerina Jasharit, vajzës shtatëvjeçare të vrarë në Prekaz.

Në një prononcim para gazetarëve, ai ka thënë se nesër do të shkojë ne Beograd dhe se nuk frikohet sepse sipas tij, është obligim të bëjë atë që është e drejtë dhe e duhur.

“Do të shkoj në muze dhe të shoh se çfarë ka ndodhur këtu. Do të shkruaj këtë në librin tim”, ka thënë ai.

Në fillim të këtij viti, politikani opozitar serb, Nikolla Sandulloviq, u arrestua nga BIA serbe pasi postoi në profilin e tij në X një video ku shihej duke vendosur lule te varri i Blerina Jasharit. Ai u rrah rëndë nga pjesëtarë të BIA-s.

I pyetur nëse ndihet i frikësuar të kthehet në Serbi pas këtij veprimi, Stojkoviq ka thënë se ndihet i obliguar ta bëjë këtë dhe se nuk ndihet i frikësuar.

“Nesër do të shkoj në Beograd dhe nuk kam arsye të frikësohem. Ne e kemi për obligim të bëjmë se çka është e drejtë dhe çka është e duhur”, ka shtuar ai.

Stojkoviq u pyet edhe nëse do të kërkojë mbrojtje apo siguri në Policia e Kosovës. Ai tha se do të pranojë ndihmë nga çdo kush që ka zemër të pastër.

“Nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të ndihmojë, unë jam i gatshëm ta pranojë atë ndihmë”, ka shtuar avokati serb.

Në lidhje me opozitarin serb, Nikolla Sandulloviq, ai ka thënë se gjendja e tij shëndetësore mbetet e rëndë, por aktualisht është jashtë rrezikut për jetë.

“Dhuna që ai ka përjetuar, dora dhe këmba e djathtë janë të palëvizshme. Ka një bri të thyer dhe ai është në gjendje të rëndë, por jo në rrezik për jetën”.

“Dua të theksoj se edhe pse është liruar nga paraburgimi, ai nuk është njeri i lirë sepse pasaporta e tij është marrë dhe nuk mund ta lë vendin”, është shprehur Stojkoviq para mediave.

Në fund, ai ka thënë se postimi i Sandulloviqit duke bërë homazhe te memoriali “Adem Jashari” në Prekaz ka marrë shumë shikueshmëri nëpër rrjetet sociale.

“Ai postim ka marrë shumë shikime dhe me atë ai i ka treguar botës se edhe në Serbi ka njerëz që punojnë për paqen”, ka potencuar Çedomir Stojkoviq.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button