Autori i gjenocidit në Gaza në përkujtimin e një gjenocidi evropian: Duda kërkon siguri për Netanyahun
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda ka kërkuar nga qeveria e vendit të tij të sigurojë që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu të marrë pjesë në 80-vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit Aushvic pa frikën e arrestimit për krimet e luftës në Gaza, transmeton Anadolu.
Ndihmësja e lartë presidenciale, Malgorzata Paprocka konfirmoi për agjencinë polake të lajmeve PAP se presidenti Duda po pret një përgjigje nga qeveria.
“Çdo person nga Izraeli si dhe një përfaqësues i autoriteteve të tij, duhet të jetë në gjendje, nëse dëshiron, të marrë pjesë në këtë ngjarje të jashtëzakonshme”, tha Paprocka.
Më herët, “Times of Israel” raportoi se presidenti polak ka kërkuar nga qeveria të sigurojë mbrojtje nga arrestimi për Netanyahun nëse ai merr pjesë në përkujtimin e 80-vjetorit të çlirimit të Aushvicit, kampit famëkeq të vdekjes i drejtuar nga regjimi nazist i Gjermanisë.
Në muajin nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Shtetet që kanë nënshkruar “Statutin e Romës”, mes tyre edhe Polonia, janë të detyruara ligjërisht të ekzekutojnë urdhër-arrestet e kësaj gjykate.
Zv/ministri polak i Punëve të Jashtme, Wladyslaw Bartoszewski tha se nëse Netanyahu vjen në Poloni, ai do të arrestohet në përputhje me detyrimet e vendit ndaj GJNP-së.