Autobusë të rinj të financuar nga BE-ja për Shkupin dhe për ajër më të pastër

Nesër Ambasadori i Bashkimit Europian dhe Shef i Delegacionit Michalis Rokas dhe Michela Telatin, Drejtoreshë e Zyrës për Shumë Vende të UNOPS-it do të dorëzojnë gjashtë autobusë të rinj ekologjik Ndërmarrjes së Transportit Publik “JSP” të qytetit të Shkupit. Në ceremoninë e dorëzimit do të marrin pjesë Danela Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit dhe Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Bashkimi Europian i furnizoi gjashtë autobusët e rinj për nevojat e qytetit të Shkupit në kuadër të programit “EU4Clean Air” i financuar nga BE-ja, i cili menaxhohet nga UNOPS dhe përfshin edhe Manastirin, Kumanovën dhe Tetovën. Autobusët qarkullojnë me gaz natyror të kompresuar (CNG) dhe plotësojnë standardin EURO 6; reduktimi i emetimeve të CO2 (dioksid karbonit) do të kontribuojë në cilësinë më të mirë të ajrit në kryeqytet.
Kjo paraqet një hap të rëndësishëm në rritjen e ndërgjegjësimit për gjurmën e karbonit dhe sigurimin e lëvizshmërisë së qëndrueshme urbane. Flota e zgjeruar e autobusave të JSP-së është gjithashtu në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së dhe standardet e cilësisë së ajrit në të gjithë Bashkimin Europian, e cila synon ulje të ndotjes në zero deri në vitin 2050 dhe të ndihmon në parandalimin e vdekjeve të parakohshme për shkak të ndotjes së ajrit.
Çdo autobus ka kapacitet prej 98 udhëtarëve (69 në këmbë + 29 vende), duke përfshirë personat me aftësi të kufizuara, duke përmirësuar kështu më tej qasjen e tyre në shërbimet thelbësore dhe duke ofruar mundësi për transport publik të qasshëm dhe lëvizje të sigurt urbane.