Austria ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 14-vjeç

Qeveria e Austrisë ka miratuar një ndalim në nivel kombëtar për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 14-vjeç dhe ka prezantuar plane për reformimin e kurrikulave të arsimit të mesëm të lartë për të forcuar edukimin mediatik dhe inteligjencën artificiale, duke filluar nga viti shkollor 2027/28, transmeton Anadolu.
Zv/kancelari austriak, Andreas Babler, në një konferencë për media tha se platformat e rrjeteve sociale kanë efekte negative te të rinjtë dhe theksoi nevojën për kufizime të moshës të ngjashme me ato që aplikohen për substanca dhe përmbajtje të caktuara mediatike.
Ai tha se ndalimi do të zbatohet në nivel kombëtar ndërsa Austria do të vazhdojë përpjekjet për të mbështetur masa të ngjashme në nivel të Bashkimit Evropian (BE).
Reforma e kurrikulës do të prezantojë një lëndë të veçantë për edukimin mediatik në shkollat e mesme të larta, ndërsa disa orë mësimore për latinishten dhe një gjuhë të dytë të huaj do të reduktohen.
Orët e informatikës gjithashtu do të zgjerohen dhe përditësohen për të përfshirë inteligjencën artificiale, duke u fokusuar në kuptimin e sistemeve digjitale dhe identifikimin e rreziqeve dhe mundësive.
Sekretari shtetëror për çështjet digjitale, Alexander Proll tha se një propozim ligjor që përshkruan zbatimin teknik të kufirit të moshës do të paraqitet deri në fund të qershorit, duke përdorur metoda verifikimi që konfirmojnë moshën e përdoruesve pa cenuar privatësinë.
Qeveria përjashtoi vendosjen e një politike të detyrueshme për përdorimin e emrit të vërtetë, por premtoi zbatim më të rreptë kundër keqpërdorimit të të dhënave të përdoruesve dhe bashkëpunim më të ngushtë mes platformave sociale dhe autoriteteve për të trajtuar dëmet online.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron reagoi ndaj vendimit në rrjetin social amerikan X, duke u shprehur: “Faleminderit që iu bashkuat kësaj lëvizjeje”.
Masa e Austrisë pasqyron një trend në rritje ndërkombëtar për kufizimin e qasjes së të miturve në rrjetet sociale.
Australia ndaloi përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16-vjeç në dhjetor të vitit 2025 ndërsa Franca planifikon të vendosë kufizime për përdoruesit nën 15-vjeç duke filluar nga shtatori i vitit 2026. Spanja dhe disa rajone të Indisë, përfshirë shtetin Karnataka, kanë njoftuar kufizime për përdoruesit nën 16-vjeç.
Vende të tjera evropiane, përfshirë Danimarkën, Gjermaninë, Norvegjinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, po shqyrtojnë rregulla të ngjashme.



