Australia do të vazhdojë të jetë “avokate e fortë” për zgjidhjen me dy shtete

Kryeministri australian Anthony Albanese të hënën tha se Canberra do të vazhdojë të jetë një “avokate e fortë” në forumet globale për një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme.
“Ne do të vazhdojmë të përdorim zërin tonë në forumet ndërkombëtare dhe të vazhdojmë të jemi avokatë të fortë edhe për një zgjidhje afatgjatë, e cila, sigurisht, është Shteti i Izraelit dhe Shteti i Palestinës duke jetuar krah për krah në paqe dhe siguri”, tha Albanese për Australian Broadcasting Corporation.
Deklaratat e tij erdhën një ditë pasi dhjetëra mijëra australianë dolën në rrugët e vendit në mbështetje të palestinezëve, duke kërkuar t’i jepet fund tregtisë së armëve të Australisë me Izraelin dhe urisë në Gaza.
“Australia, sigurisht, nuk është një fuqi e madhe në Lindjen e Mesme. Dhe pavarësisht disa retorikave që qarkullojnë, Australia për shembull, nuk i furnizon armë Izraelit. Ne kemi avokuar vazhdimisht, si drejtpërdrejt tek qeveria izraelite, ashtu edhe përmes votës sonë në forumet ndërkombëtare, që ndihmat të lejohen të hyjnë në Gaza”, tha Albanese.
“Ne kemi avokuar vazhdimisht për një armëpushim dhe për lirimin e pengjeve dhe çarmatosjen e Hamasit”, shtoi ai.
Më herët këtë muaj, Albanese njoftoi se Australia do t’i bashkohet Kanadasë, Francës dhe Britanisë në njohjen formale të shtetit palestinez në sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator.
Ai tha se vendi i tij e ka ngritur çështjen e njohjes së Palestinës me qeveritë e vendeve fqinje në Paqësor, përfshirë Zelandën e Re, në një “mënyrë diplomatike.”
“Australia do të marrë vendimet tona pa u shqetësuar për asgjë tjetër përveç interesit tonë kombëtar dhe për të bërë gjënë e duhur”, tha ai.
Që nga 2 marsi, Izraeli ka mbyllur të gjitha pikat e kalimit drejt Gazës, duke bllokuar ndihmat humanitare pavarësisht kamionëve të ngarkuar me ndihma që presin në kufi. Vetëm sasi jashtëzakonisht të kufizuara janë lejuar të hyjnë, të pamjaftueshme për të përmbushur nevojat minimale të popullsisë prej 2,4 milionë banorësh të territorit.