Australia do të shtrëngojë ligjet për armët pas të shtënave masive të djeshme që vranë 15 persona

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese tha se ligjet për armët do të shtrëngohen pas të shtënave masive në një plazh në Sydney, Uellsi i Ri Jugor (NSW), ku u vranë 15 persona, transmeton Anadolu.
Në një konferencë për mediat, Albanese deklaroi se qeveria do të bëjë atë që është e nevojshme duke shtuar se ligjet për armët do të shtrëngohen. “Do të shtoj ligje më të rrepta për armët në axhendën e kabinetit kombëtar, përfshirë kufizime në numrin e armëve që mund të përdoren ose të licencohen nga një person i vetëm”, tha ai.
Albanese potencon se rrethanat e njerëzve “mund të ndryshojnë” me kalimin e kohës dhe për këtë arsye licencat “nuk duhet të jenë të përhershme”. Ai shtoi që edhe pse disa ligje zbatohen në nivel federal dhe të tjera në nivel shtetëror, ata do të përpiqen të arrijnë konsensus për këtë çështje.
Dje, u zbulua se babai 50-vjeçar i njërit prej sulmuesve ishte pronar i armëve me licencë, posedonte gjashtë armë me licencë dhe gjashtë të tjera u sekuestruan në vendngjarje.
– Sulmi me armë në Australi
Sulmi me armë ndodhi në plazhin Bondi në qytetin Sydney, në shtetin e Uellsit të Ri Jugor të Australisë.
Njëri nga të dyshuarit u raportua i vdekur, ndërsa tjetri i plagosur u arrestua. Policia tha se sulmuesit ishin babë e bir dhe se në sulm humbën jetën 15 persona ndërsa 42 të tjerë u plagosën.
Kryeministri australian Albanese tha se sulmi ishte kundër australianëve hebrenj. Përfaqësuesit e komunitetit musliman në Australi e dënuan sulmin dhe shprehën solidaritet me të prekurit dhe familjet e tyre.
Ahmed el-Ahmed, i cili ndërhyri me guxim në sulm dhe çarmatosi një nga të dyshuarit, u bë temë diskutimi në mediat australiane.



