Asanovska godet Arsovskën: Kryeqyteti po mbulohet nga mbeturinat, ndërsa ne presim një autobus!

Një reagim i ashpër dhe i drejtpërdrejtë ka ardhur nga Batinca, përmes një letre të hapur drejtuar kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Autorja e letrës, Nurxhane Asanovska, një banore e këtij fshati të Komunës së Studeniçanit, kritikon ashpër autoritetet për mungesën e linjës së transportit publik që lidh Batincën me Shkupin.
Asanovska shpreh indinjatën e saj për, siç thotë, “shpërfilljen e qëllimshme” ndaj banorëve që prej vitesh kërkojnë një shërbim bazik si transporti publik.
“Banorët e Batincës nuk kërkojnë privilegje, por një të drejtë themelore, lirinë e lëvizjes”, shkruan ajo. “Në vitin 2025, të mos kesh një linjë autobusi funksionale që lidh fshatin me kryeqytetin është një tallje e pastër me qytetarët”.
Në letrën e saj, ajo e cilëson heshtjen e institucioneve si “turp”, ndërsa vetë kryetaren Arsovska e akuzon për neglizhencë të thellë:
“Nuk është hera e parë që ky problem ngrihet. Por, për fat të keq, është hera e disatë që ju heshtni, ose më keq akoma, bëni sikur nuk dëgjoni”.
Asanovska kërkon rikthimin urgjent të linjës Batincë–Shkup dhe anasjelltas, me orar të rregullt dhe kushte të denja për qytetarët. Ajo paralajmëron se, në mungesë të veprimit konkret, banorët do të përdorin të gjitha mjetet ligjore dhe qytetare për të kërkuar të drejtën e tyre.
Në fund të letrës, ajo nuk lë pa përmendur edhe gjendjen alarmante të pastërtisë në kryeqytet, duke e ndërlidhur me dështimet më të gjera të menaxhimit nga autoritetet lokale: “Shkupi është shndërruar në një deponi të hapur, e ju në simbol të neglizhencës dhe dështimit”.