“As që e kemi ditur”, Taravari: Takimi me Ramën i rastësishëm!

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari thotë se ditë më parë realizoi takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në Çarshinë e Shkupit. Sipas tij takimi ishte i natyrshëm mes përfaqësuesve politikë shqiptarë, në një moment të caktuar, në një kontekst që nuk është përgatitur si ngjarje protokollare.
Megjithatë, për çdo ndjeshmëri që është shkaktuar te qytetarët tanë, unë dua ta them qartë se Aleanca për Shqiptarët dhe unë personalisht nuk do të pranojmë kurrë që dinjiteti i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut të shihet si i dorëzuar apo i përbuzur.
Respekti për përfaqësuesit institucionalë të Shqipërisë është i natyrshëm për ne si shqiptarë, por ne kërkojmë dhe presim që ky respekt të jetë gjithmonë i ndërsjellë. Marrëdhëniet ndërshqiptare duhet të ndërtohen mbi barazi, mbi dëgjim të ndërsjellë dhe mbi interes të përbashkët kombëtar.
Dhe në fund, dua të theksoj edhe një herë se Aleanca për Shqiptarët është dhe do të mbetet një forcë me orientim të qartë kombëtar. Shqiptarët si shtetformues në këtë vend besojmë në familjen, në identitetin tonë, në historinë dhe në të drejtën për të qenë zot të fatit tonë politik. Nuk jemi instrument i projekteve personale apo të huaja, por jemi këtu për të ndërtuar bashkë, me ju dhe për ju, një të ardhme ku shqiptari ndjehet krenar në vendin e vet”, thotë Taravari.