Artistja 15 vjeçare nga Gaza pikturon një fëmijëri të humbur nga lufta izraelite

Artistja 15 vjeçare Sara Abu Saade, e cila jeton në një kamp refugjatësh në Gaza, thotë se pikturat e saj të dikurshme, të mbushura me gëzim, janë zëvendësuar nga pamje shkatërrimi, gjaku dhe vdekjeje pas sulmeve izraelite.
Arti i krijuar nga artistët e Gazës pasqyron vuajtjen e thellë të shoqërisë përreth tyre. Përmes shprehjes krijuese, ata përpiqen të flasin në emër të komuniteteve të tyre dhe të dokumentojnë realitetin e jetuar.
Me origjinë nga Beit Lahiya dhe tashmë banore e Qytetit të Gazës, Sara mban mbi supe përgjegjësinë për t’i përcjellë botës përvojat e popullit të saj, pavarësisht moshës së re.
Para bombardimeve izraelite në Gaza, Saade pikturonte skena të jetës së përditshme, por gjithçka ndryshoi pas tyre.
Nga gëzimi te shkatërrimi
“Tani e gjej veten duke pikturuar vetëm shkatërrim, gjak dhe dëshmorë,” i tha Saade mediave turke. “E gjithë puna ime pasqyron një realitet të dhimbshëm.”
E frymëzuar nga pamjet që sheh çdo ditë, Saade thotë se nuk është më në gjendje të pikturojë imazhet e gëzuara që dikur e mbushnin krijimtarinë e saj. Ajo rrëfen se, në periudha mungesash të thella, ka pikturuar “një grua që mban një thes mielli drejt pikës së shpërndarjes së ndihmave”, ndërsa kur u nis Flotilja e Sumudit, pikturoi “anijen”.
Pas një armëpushimi, ajo realizoi një pikturë që tregon kthimin e familjeve të zhvendosura në shtëpitë e tyre.
Veprat e hershme të artistes së re palestineze u shkatërruan në bombardimet izraelite. Që atëherë, ajo ka vazhduar të pikturojë në kushte jashtëzakonisht të vështira, duke përdorur çadra, copa druri e pëlhure si kanavacë dhe qymyr nga druri i djegur si bojë.
Shpresa për një të nesërme më të mirë
“Kur pikturova kthimin e familjeve në shtëpitë e tyre, edhe unë e imagjinova veten duke u kthyer në shtëpi,” tha ajo, duke iu referuar banesave ku nuk kanë mundur të shkojnë në zonën e linjës së verdhë, rëndë të dëmtuar.
Saade thotë se çdo pjesë e jetës së saj: shtëpia, ëndrrat, mirëqenia mendore dhe arti, është shkatërruar.
Por ajo mbetet shpresëplotë.
“Dua të krijoj sërish piktura të bukura, si më parë. Nuk dua të pikturoj shkatërrim dhe gjak. Dua që puna ime t’ia përcjellë botës vuajtjen tonë, por fatkeqësisht bota ka mbyllur sytë,” tha ajo.
Ajo paralajmëroi se, nëse kushtet nuk përmirësohen, Gaza mund të mos rimëkëmbet kurrë dhe ajo mund të mos arrijë kurrë ëndrrat e saj. Po ashtu, shprehu shpresën që një ditë të largohet nga Gaza për të ndjekur ambiciet e saj. /TRT Balkan/



