Artan Grubi në depresion: Pendarovski ia pengoi Ligjin e kazinove

Zëvendëskryeministri Artan Grubi ka reaguar ndaj vendimit të presidentit Stevo Pendarovski, i cili gjatë ditës së sotme vendosi të mos e nënshkruajë Dekretin për shpalljen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese.
Ja reagimi i plotë i Grubit:
2 vite me rradhë, opozita bllokonte ligjin për largimin e kazinove dhe bastoreve nga shkollat dhe fëmijtë tanë. Motivet i njohim të gjithë.
Pas të gjitha bllokadave dhe obstrukcioneve, shumica parlamentare më në fund e miratoi ligjin i cili u përshëndet nga të gjithë qytetarët, shqiptarë, maqedonas, turq, rom, srb, boshnjak dhe të gjithë të tjerët, në veçanti nënat me bekimin “na i shpëtuat fëmijtë”, si edhe nga shoqatat antibixhoz.
Besimin e deputetëve dhe qytetarëve që e mbështetën atë si dhe gjithë këtë betejë për largim të kazinove dhe bastoreve nga shkollat dhe fëmijtë tanë, për dyfishim të tatimeve dhe rritje të hyrave buxhetore dhe vështirësim të procedurave për hapje dhe zgjërim të industrisë, Pendarovski e hodhi në shportën e plehrave, zgjodhi anën e bastoreve dhe kazinove.
Arsyetimin se qenka “keqpërdorur” flamuri europian për miratimin e ligjit është përallë mbas darke, imagjinoni, s’paska patur vërejtje për përmbajtjen por për procedurën.
Nuk dorëzohemi nga kjo betejë dhe jemi të bindur se të gjithë deputetët me ndërgjegjë të pastër janë në anën kundër bastoreve dhe kazinove.



