Arsovska kthen “kasapin” Qoseto, do të vendoset përsëri në Shkup

Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, si dhe këshilltarët e Levicës para dhjetë ditësh në seancë të rregullt, me 23 vota PËR, shtatë të përmbajtur dhe tre kundër votuan për kthimin e përmendores së Andon Llazov – Qoseto. Këtë herë do të vendoset në lokacion tjetër, afër qendrës tregtare “East Gate Mall”. Sipas VMRO-DPMNE-së, këshilltarët e tyre në Qytetin e Shkupit veprojnë në mbrojtje të kulturës dhe historisë së Maqedonisë.

“Vendimet që sjellin këshilltarët në Qytetin e Shkupit janë në drejtim të përmirësimit të standardit të jetës, kulturës, historisë. Ruajtjes së përfitimeve që populli i ka fituar ndër shekuj në Maqedoni”, tha Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Por pse gjithë ky insistim për kthimin e përmendores së Qosetos? Kryetarja e Shkupit Danella Arsovska, thotë se Andon Lazov ka qenë revolucionar dhe luftëtar për drejtësi si dhe ka vepruar në mënyrë joselektive.

“Sepse ai njeri edhe pse ka qenë mjaft kontroverz, gjithsesi është sinonim për drejtësi dhe veprime joselektive.
Po, sepse me thikë ka mbytur edhe të afërmit.
Gjithkush që ka gabuar, duhet të përgjigjet në mënyrë të barabartë. Ky është sinonimi i drejtësisë dhe kjo është që më së shumti na duhet sot. Kjo është një floskulë që e flasin politikanët në tridhjetë vitet e fundit vazhdimisht”, është shprehur Arsovska.

Profesori i historisë Muzafer Bislimi, thotë se në krahasim me revolucionarët e vërtetë si Goce Dellçev, Dame Gruev, Jane Sandanski e Petar Çaulev, Qoseto është një i panjohur dhe nuk ka të bëjë asgjë me revolucionin në Maqedoni.

“Qoseto nuk ka pasur asnjë rol në Organizatën ku ka qenë. Ndoshta ka qenë prijës lokal. Në krahasim me Goce Dellçev, Dame Gruev, Petar Çaulev, Jane Sandanski, ky është një Anonimus. Nuk ka të bëjë fare me revolucionin në Maqedoni e as me VMRO-në”, deklaroi Bislimi.

Sipas asaj që thuhet në Wikipedia, Andon Lazov – Qoseto, i njohur me nofkën Kasapi, në veprimtarinë e tij është njohur si terrorist i Organizatës Revolucionare Maqedonase, organizatë të cilës i është bashkangjitur në Selanik. Atje ai është njohur me Dame Gruevin dhe ka marrë urdhëresa direkt prej tij. Qoseto atëkohë ka urdhëruar vrasjen e vëllaut të tij Nikolla me qëllim që siç thuhet, mos ta tradhëtojë organizatën. Përmendorja e Qosetos u largua para pesë viteve nga ish kryetari i Shkupit Petre Shilegov, me arsyetimin se është ndërtim pa leje. Atëkohë ishte i vendosur përballë Gjykatës Supreme.TV21

 

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button