Arrestohet vrasësi i ish-kryeparlamentarit ukrainas

Një i dyshuar për vrasjen me armë zjarri të politikanit të shquar ukrainas Andriy Parubiy është arrestuar.
Lajmi u bëui ditur nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një postim në rrjetet sociale.
Parlamentari 54-vjeçar u vra nga një sulmues që u paraqit si korrier në qytetin perëndimor të Lvivit të shtunën, ndërsa prej rreth dy ditësh arriti t’i shpëtonte arrestimit.
Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Igor Klymenko, tha në një deklaratë të lëshuar në orët e para të mëngjesit të së hënës se i dyshuari ishte ndaluar në rajonin perëndimor Khmelnytskyi.
Parubiy u bë i njohur gjatë protestave masive të Euromaidanit në Ukrainë, të cilat mbështetën lidhje më të ngushta me BE-në dhe rrëzuan ish-presidentin pro-rus Viktor Janukoviç në vitin 2014.
Klymenko tha se hetimi paraprak kishte zbuluar se vrasja ishte “përgatitur me kujdes” me orarin e udhëtimit dhe itinerarin e Parubiy-t të hartuar, si dhe një plan arratisjeje.
Ai shtoi se forca policore kombëtare e Ukrainës do të japë detaje të mëtejshme më vonë.
Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky tha se kishte folur me kryeprokurorin Ruslan Kravchenko, i cili e informoi se i dyshuari kishte dhënë një dëshmi fillestare.
“Veprime urgjente hetimore janë duke u zhvilluar aktualisht për të përcaktuar të gjitha rrethanat e kësaj vrasjeje”, shtoi ai, ndërsa falënderoi gjithashtu forcat e rendit dhe prokurorët për “punën pa ndërprerje”.