Arrestohet gruaja gjermane pasi therrjes me thikë të 17 personave në stacionin e trenit në Hamburg

Autoritetet në Gjermani kanë arrestuar një grua pasi të paktën 17 persona u plagosën gjatë një sulmi me thikë në stacionin kryesor të trenit në qytetin verior të Hamburgut.
Të paktën katër nga viktimat kanë pësuar plagë që rrezikojnë jetën në këtë incident therjeje masive të ndodhur të premten në mbrëmje, gjatë orës së ngarkuar të qytetit, njoftuan shërbimet e urgjencës.
E dyshuara, një grua 39-vjeçare gjermane, u arrestua në vendngjarje nga forcat e rendit, tha një zëdhënës i policisë së Hamburgut.
“Oficerët iu afruan dhe gruaja u lejoi të arrestohej pa rezistencë”, tha zëdhënësi Florian Abbenseth për gazetarët, në komente të transmetuara nga televizioni publik ARD.
“Nuk kemi asnjë dëshmi deri tani që të tregojë se gruaja kishte një motiv politik,” shtoi Abbenseth.
“Përkundrazi, kemi informacione mbi të cilat duam të hetojmë nëse ajo mund të ketë qenë në një gjendje emergjente psikologjike.”
Policia e Hamburgut tha përmes një postimi në platformën X se e dyshuara mendohet të ketë vepruar e vetme.
Katër nga viktimat kanë pësuar plagë që rrezikojnë jetën, tha një zëdhënës i departamentit të zjarrfikësve të Hamburgut, duke korrigjuar një shifër të mëparshme.
E dyshuara mendohet të ketë sulmuar “kundër pasagjerëve” në stacion, tha një zëdhënëse e drejtorisë federale të policisë në Hanover, e cila mbulon edhe Hamburgun, për agjencinë AFP.
Pamjet nga vendngjarja treguan hyrjen në peronët në njërin skaj të stacionit të bllokuar nga policia dhe persona që ngarkoheshin në ambulanca.
Katër peronë në stacion u mbyllën gjatë hetimeve, dhe operatori i hekurudhave Deutsche Bahn tha se ishte “thellësisht i tronditur” nga sulmi. Edhe kancelari gjerman Friedrich Merz shprehu tronditjen e tij gjatë një bisede telefonike me kryetarin e bashkisë së Hamburgut pas sulmit.
Gjermania është tronditur muajt e fundit nga një sërë sulmesh të dhunshme që e kanë vendosur sigurinë në krye të agjendës.
Sulmi më i fundit ndodhi të dielën, ku katër persona u plagosën në një sulm me thikë në një lokal në qytetin Bielefeld. Hetimi për këtë sulm iu dorëzua prokurorëve federalë pas arrestimit të të dyshuarit, i cili është nga Siria. /Al Jazeera/