Arrestohet 27-vjeçari nga Shkupi për pornografi me të mitur

Sektori për krimin kompjuterik pranë MPB-së ka paraqitur kallëzim penal në prokurori kundër F.M. (27) nga Shkupi, për veprën penale “Prodhim dhe shpërndarje të pornografisë me të mitur”.
“Pas marrjes së informacionit nga policia gjermane për një hetim të zhvilluar lidhur me abuzimin seksual të fëmijëve dhe posedimin e materialeve me abuzim seksual të fëmijëve, si dhe faktin se bëhej fjalë për një profil në aplikacionin ‘Telegram’, me numër telefoni dhe adresë IP nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Sektori për krimin kompjuterik pranë MPB-së ndërmori masa dhe aktivitete për mbledhjen e provave dhe pas identifikimit të përdoruesit,” njoftoi MPB-ja.
Sipas informacionit nga Prokuroria, i dyshuari për një periudhë kohe kishte blerë dhe poseduar fotografi dhe video me përmbajtje pornografike me fëmijë, të cilat i kishte ruajtur në telefonin dhe tabletin e tij. Materialet në formë fotografish dhe videosh, në të cilat shfaqeshin akte të qarta seksuale me fëmijë, ai i kishte siguruar nga persona të tjerë përmes aplikacioneve të ndryshme në internet, faqeve të uebit dhe forumeve.
Më 20 gusht është kryer bastisje në shtëpinë e F.M. (27), ku janë gjetur dhe konfiskuar materiale për procedura të mëtejshme.
F.M. është privuar nga liria në Stacionin Policor Gazi Babë.
Për sigurimin e tij gjatë procedurës, prokurori publik ka propozuar vendosjen e disa masave kujdesi, duke përfshirë ndalimin për të lënë vendbanimin/rezidencën, marrjen e pasaportës, paraqitjen periodike në Gjykatë, ndalimin e përdorimit të çfarëdo aplikacioni interneti në telefona apo pajisje të tjera, si dhe ndalimin e mbajtjes së kontakteve me personat me të cilët kishte shkëmbyer pornografi me të mitur përmes profileve në internet jashtë vendit.