Arrestohen gjashtë persona, mes tyre edhe një grua: Vozitnin me shpejtësi dhe nën ndikimin e alkoolit

Policia ka arrestuar gjashtë shoferë në Bitolë, Makedonski Brod, Koçan dhe Kumanovë për “drejtim të pakujdesshëm të automjetit motorik”. Pesë prej tyre kanë qenë nën ndikimin e alkoolit, ndërsa njëri ka vozitur më shumë se dyfishin e shpejtësisë së lejuar.
Më 25 tetor 2025, në orën 03:42, në rrugën “Partizanska” në Bitolë, policia ka ndaluar dhe arrestuar P.D. (27) nga Bitola. Pas kontrollit në komunikacion, është konstatuar se ai po voziste automjetin “Opel” nën ndikimin e alkoolit, me 2.16 promilë në gjak.
Një ditë më parë, më 24 tetor 2025, në orën 22:53, në rrugën “Marshal Tito” në Makedonski Brod, policia ka arrestuar S.V. nga i njëjti qytet, pasi është konstatuar se po voziste nën ndikimin e alkoolit me 2.03 promilë.
Në Koçan, më 25 tetor, në orën 02:00, policia arrestoi D.J. (21) nga fshati Zrnovcë, pasi testi tregoi 1.53 promilë alkool në organizëm.
Në Kumanovë, më 24 tetor, në orën 15:06, në bulevardin “Brigada e Tretë Sulmuese Maqedonase”, është arrestuar një grua 33-vjeçare, G.F. nga Shkupi. Ajo është kapur duke vozitur automjetin “Seat” me targa të Shkupit me shpejtësi 98 km/h në zonë të banuar ku kufiri i lejuar është 40 km/h.
Po atë ditë, në orën 22:38, në rrugën rajonale Kumanovë–Sveti Nikollë, afër kishës “Shën Mina”, policia arrestoi D.P. (27) nga Kumanova, i cili po voziste automjetin “Peugeot” nën ndikimin e alkoolit me 2.02 promilë në gjak.
Ndërkaq, më 25 tetor, në orën 01:43, në të njëjtin bulevard në Kumanovë, është arrestuar A.M. (40) nga fshati Zletovë, komuna e Probishtipit, pasi po voziste automjetin “Volkswagen Golf” me 1.64 promilë alkool në gjak.
Të gjithë të ndaluarit janë mbajtur në stacion policor dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të ngriten kallëzime penale në bazë të nenit 297-a të Kodit Penal – “drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik”.



