Arrestime dhe bastisje në disa lokacione në Shkup, sekuestrohen armë dhe municion

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka paraqitur kallëzim penal ndaj tre personave nga Shkupi, të dyshuar për bashkim kriminal dhe veprimtari të paligjshme që lidhen me armë dhe materiale shpërthyese.

Sipas komunikatës zyrtare të MPB-së, më 6 shkurt 2026, Sektori për luftë kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, në kuadër të Departamentit për luftimin e krimit të organizuar dhe serioz, dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër personave B.D. (33), M.D. (29) dhe S.E. (25), të gjithë nga Shkupi. Ata dyshohen për veprat penale “bashkim kriminal” sipas nenit 394 paragrafi 1 dhe “prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregti të paautorizuar me armë ose materiale shpërndarëse”, sipas nenit 396 të Kodit Penal.

Sipas MPB-së, gjatë procedurës paraprake hetimore është konstatuar dyshimi se personat e dyshuar janë organizuar për të kryer hakmarrje për vëllezërit e tyre, të cilët gjatë vitit të kaluar ishin akuzuar dhe dënuar për veprën penale “organizatë terroriste”.

“Sipas provave të deritanishme, të dyshuarit kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar, si grup me orientim të përbashkët ideologjik të bazuar në narrativa radikale islamiste”, thuhet në njoftimin e policisë.

Autoritetet shtojnë se ekzistojnë dyshime për aktivitete të mbledhjes së fondeve brenda vendit dhe jashtë tij, të cilat dyshohet se janë përdorur për propagandë dhe aktivitete të lidhura me të ashtuquajturin “Shteti Islamik”, si dhe për blerjen e armëve.

Me urdhër të Gjykatës Themelore Penale Shkup dhe nën drejtimin e prokurorit publik nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, policia kreu dje kontrolle në banesa dhe hapësira të tjera në disa lokacione në Shkup. Gjatë bastisjeve u gjetën dhe u sekuestruan një pushkë automatike me dy karikatorë dhe 44 fishekë, dy pistoleta me tre karikatorë dhe 14 fishekë, një pushkë gjuetie, një pushkë ajrore, një bombë dore tymuese, municion i llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe materiale të tjera provuese.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button