Arlind Ajeti: Serbia ka cilësi, ne jemi gati

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti, ka deklaruar se skuadra është plotësisht e përgatitur dhe e fokusuar për përballjen ndaj Serbisë, në ndeshjen vendimtare për kualifikimet e Grupit K.
Serbia dhe Shqipëria do të përballen të shtunën mbrëma në Leskovc në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.
Ajeti në konferencën për media, theksoi se për skuadrën kuqezi kjo është “vetëm një ndeshje futbolli”, por sipas tij, emocionet dhe përgjegjësia janë të mëdha.
“Normalisht që emocionet i kemi para çdo ndeshje. Mundohemi ta shohim këtë si një sfidë futbolli dhe të jemi profesionistë në çdo aspekt. Synimi është të japim maksimumin dhe të marrim tri pikët”, tha Ajeti.
Mbrojtësi kuqezi vlerësoi kundërshtarin për cilësinë e lojtarëve, veçanërisht sulmuesit Mitroviç dhe Vlahoviç, por u shpreh i bindur se Shqipëria do të jetë e përgatitur për çdo rast.
“Serbia ka futbollistë cilësorë në çdo repart, por ne do të analizojmë çdo lojtar dhe do të jemi gati. Do të japim maksimumin për të ruajtur portën e paprekur”, shtoi ai.
“Çdo ndeshje jashtë është më e vështirë, por do të bëjmë më të mirën, si gjithmonë. Ne do të mbrohemi fort, dhe shpresojmë që sulmuesit tanë të shfrytëzojnë rastet për të na dhuruar fitoren”, përfundoi mbrojtësi kuqezi.