Ardian Ramadani nga Kumanova, emërohet ambasador i Francophonia-s për Maqedoninë e Veriut

Organizata Francophonia, si misionare dhe aktore e përkushtuar në komunitetin edukativo-arsimor dhe kulturor frëngjishtfolës, me seli në Nicë (Bregu i Azurit)- Francë, si dhe drejtori i saj, Jan Librati, me ekipin e tij, që merren me aktivitete që kryesisht promovojnë Frankofoninë përmes edukimit dhe vlerave të solidaritetit, hapjes dhe ndërkulturalitetit, përmes frëngjishtes, si gjuhë e përbashkët, për të zbuluar dhe ndarë kulturat e botës, e kanë emëruar Ardian Ramadanin ambasador të kësaj organizate për Maqedoninë e Veriut.
Frankofonia, si vendtubim i shumë shteteve frankofone, është një qendër për projekte që bashkojnë komunitetet edukativo-arsimore përmes përvojave edukativo-arsimore dhe ndërkulturore, kushtuar drejtorëve, profesorëve, ligjëruesve, hulumtuesve, studentëve e kështu me radhë. Fushëveprimi i kësaj organizate bëhet nën moton “Të mësojmë nga të gjithë, të dimë së bashku”.
Përndryshe, Ardian Ramadani ka lindur më 30 nëntor 1983 në Kumanovë. Shkollën fillore e ka mbaruar në fshatin Opajë, komunën e Likovës, ndërsa të mesmen në gjimnazin e Kumanovës.
Studimet universitare i ka mbaruar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Frënge, si student i dalluar.
Ka mbaruar studimet pasuniversitare me sukses, në kuadër të Fakultetit të Administrimit Publik dhe Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, drejtimi i studimeve të diplomacisë dhe Shkencave politike, ku ka mbrojtur temën e magjistraturës me titull Franca dhe diplomacia franceze në periudhën e Risheljesë, shteti-komb dhe doktrina Raison dÉtat, e me këtë rast ka marrur titullin magjistër i Studimeve të Diplomacisë dhe Shkencave Politike.
Nga viti 2003 gjer më vitin 2007 ka punuar si profesor i gjuhës frënge në gjimnazin e Kumanovës.
Në vitin 2005 ka qenë deputet i Maqedonisë në Parlamentin Frankofon të të Rinjve në Bruksel.
Nga 2007 gjer më 2010 ka qenë profesor i gjuhës frënge në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ndërsa nga viti 2010 e gjer në fundvitin e 2011 ka punuar si Sekretar i Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Në vitin 2011 qenë ligjërues i lëndës së Marrëdhënieve ndërkombëtare në Akademinë Diplomatike Shqiptare.
Nga 2011 gjer më 2012 ka qenë profesor i gjuhës frënge në shkollën e mesme komunale-gjimnazin e Kumanovës Sami Frashëri.
Më 2012 ka qenë pjesëmarrës aktiv në ligjëratat e shkollës politike Nënë Tereza, në kuadër të Qendrës për Krijimin e Politikave Publike dhe i certifikuar me certifikatë nga Shkolla Politike Nënë Tereza në Shkup, mbështetur nga Këshilli i Evropës, cikli i vitit 2012 i Shkollave për Studime Politike në Këshillin e Evropës dhe pjesëmarrës në Forumin për Demokraci në Këshillin e Evropës në Strasburg.
Në vitin 2014 ka qenë pjesëmarrës në programin e Universitetit të Paqes Beteja për lirinë, në Kaen-Normandi të Francës, e poashtu edhe në vitin 2015, në programin me temë Negocimi për paqe, i shpërblyer në të dyja rastet me certifikatë.
Ka marrë pjesë aktive si pjesëmarrës në Akademinë e Gjashtë Politike për Demokraci Sociale, organizuar nga Fondacioni Fridrih Ebert, zyra Shkup, nga Instituti për demokraci sociale Progres në Shkup dhe nga Qendra Ndërkombëtare Olof Palme, Prishtinë, Kosovë, i shpërblyer me certifikatë CUM LAUDE .
Gjer në gusht të vitit 2015 ka qenë mësimdhënës i gjuhës frënge në shkollën e mesme mjekësore në Kumanovë.
Nga shtatori i vitit 2015 deri më shtator 2017 ka punuar si përkthyes në Misionin Ushtarak të Ambasadës së Francës në Shkup, në cilësi të përkthyesit në Misionin e Mbrojtjes.
Nga shtatori 2017 e deri më sot, ai është përkthyes personal në shqip dhe frëngjisht i ambasadorit të Francës në Shkup, mandej përkthyes në shqip dhe frëngjisht në Institutin Francez në Shkup, si dhe profesor i gjuhës frënge në Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve, në ministritë e ndryshme në shtetin tonë, i angazhuar në tërë këto aktivitete nga Ambasada e Francës dhe Instituti Francez në Shkup.
Ndërsa, nga dhjetori 2019 e deri më sot, ai është i angazhuar edhe në Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, në departamentin e Holokaustit, në cilësi të asistentit hulumtues.
Është tejet aktiv me përkthime si përkthyes gjyqësor në gjuhën frënge, shqipe dhe maqedonase, ndërsa shquhet edhe si kolumnist dhe publicist i rregullt.
Ardian Ramadani është autor i pesë librave gjer më tani, recensent dhe redaktor i disa librave, si dhe autor i rregullt i shumë shkrimeve, artikujve dhe analizave nëpër ueb-portale të ndryshme, revista dhe gazeta të përditshme shqiptare në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë, të shkruara dhe elektronike.
Ardian Ramadani jeton në qytetin e Kumanovës.