Arben Fetai godet Taravarin: Adash, ke mbetur vetëm! Tërhiqu sa nuk je turpëruar pakthyeshëm

Zëvendëskryeministri Arben Fetai, ka reaguar me tone të forta kundër Arben Taravarit, duke e akuzuar për tradhti politike dhe shpërndarje përçarjeje në skenën shqiptare.
Në një postim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, Fetai shkruan: “Taravari nuk është i pari. Besa, nuk është as i dyti, as i treti, madje as i katërti. Adash, ke mbetur vetëm!”
Ai e akuzon Taravarin për kaos të krijuar brenda BDI-së dhe për përdorim nga kjo parti për qëndrime që vetë nuk guxon t’i artikulojë: “Edhe në BDI ke sjellë kaos. S’dinë ç’të bëjnë me ty. Një ditë të duan, të nesërmen s’të duan, të pasnesërmen të përdorin për kumtesa që s’guxojnë t’i shkruajnë vetë”.
Fetai thekson se problemi nuk është më personal, por rrënjësisht politik:
“Çështja e vërtetë është tjetër: për 22 vjet, BDI kultivoi një kulturë përçarjeje, shpifjesh dhe pazarllëqesh. Ti jo vetëm që s’e kundërshtove, por e përqafove me gjithë zemër”.
Në një thirrje të drejtpërdrejtë për dorëheqje, ai e përfundon statusin me një paralajmërim të qartë: “Adash, s’është as sfidë as forcë të mbledhësh 100 veta për një shfaqje komike me matematikanë të kthyer në palaço. Sfida e vërtetë është të mos e tradhtosh aktivistin e sinqertë të 107 mijë votave… Tërhiqu sa nuk je turpëruar pakthyeshëm!”