Anulohet samiti i liderëve të rajonit dhe BE-së në Bosnje, dështoi tenderi për organizim
Këshilli i Ministrave të Bosnjë dhe Hercegovinës ka marrë vendim për të anuluar samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian (BE), i cili ishte planifikuar të mbahej më 4 dhe 5 dhjetor në Neum, në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Lajmin për Radion Evropa e Lirë e konfirmoi zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, njëherësh ministri i Mbrojtjes, Zukan Helez.
“Samiti është anuluar sepse ka dështuar tenderi për organizimin e kësaj ngjarjeje. Ka pasur një ankesë ndaj atyre që u kualifikuan si ofertuesit më të mirë”, tha Helez për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se tenderi i ri për organizimin e samitit do të shpallet “menjëherë” dhe se me shumë gjasë kjo ngjarje mund të mbahet në janar të vitit të ardhshëm.
Kjo ngjarje ishte planifikuar të mblidhte udhëheqësit kryesorë nga rajoni dhe BE-ja, me synimin për të forcuar bashkëpunimin dhe për të shqyrtuar çështje të rëndësishme politike, ekonomike dhe shoqërore.
Në samit, megjithëse nuk ishte konfirmuar zyrtarisht, siç është thënë për REL nga Delegacioni i BE-së në Bosnje e Hercegovinë, pritej të merrte pjesë edhe Marta Kos, e cila më 1 dhjetor merr detyrën e komisionares së BE-së për Zgjerimin.
Kjo do të ishte një nga vizitat e saj të para zyrtare. /rel/