Antropologu izraelit, Halper: Qëllimi i Izraelit është ta bëjë Gazën të pabanueshme

Antropologu izraelit dhe njëherit kryetar i Komitetit Izraelit Kundër Shembjes së Shtëpive (ICAHD), Jeff Halper tha se “Qëllimi i Izraelit është ta bëjë Gazën të pabanueshme” duke shtuar se Izraeli ka shkatërruar qindra mijëra shtëpi, vende adhurimi, shkolla dhe infrastrukturë civile në sulmet e tij në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023 dhe se nuk i ka përfshirë palestinezët në projektet e rindërtimit.

Halper dha një intervistë për gazetarin e Agjencisë Anadolu (AA) në margjinat e seancës së fundit të Tribunalit të Gazës, një iniciativë globale dhe e pavarur e krijuar për të hetuar krimet e luftës të Izraelit në Gaza.

– Izraeli shkatërroi rreth 300 mijë shtëpi në Rripin e Gazës

Halper thotë se Izraeli ka shkatërruar gati gjysmë milioni struktura palestineze, përfshirë shtëpi, xhami, kisha dhe shkolla, që nga Nakba (Katastrofa e Madhe) në vitin 1948, kur palestinezët iu nënshtruan migrimit të detyruar. Ai tha se rreth 300 mijë shtëpi janë shkatërruar vetëm në Gaza që nga tetori i vitit 2023.

“Ky shkatërrim është pjesë e fushatës së spastrimit etnik për të larguar me forcë palestinezët nga tokat e tyre dhe për të arritur një shtet të vetëm sionist izraelit”, deklaroi Halper i cili shtoi se “Qëllimi i Izraelit është ta bëjë Gazën të pabanueshme”.

– Rindërtimi i Gazës duhet të jetë në dobi të banorëve të Gazës

Halper thekson se Izraeli nuk i ka përfshirë palestinezët në planet e tij të rindërtimit për Gazën dhe synon ta hapë rajonin për turistët dhe kolonët e paligjshëm. Ai shton se investimet e investitorëve të huaj në këto projekte janë të dëmshme për popullin palestinez.

“Kur flasim për rindërtimin e Gazës, duhet të sigurohemi që është një rindërtim i vërtetë i ndërmarrë në emër të njerëzve që jetojnë në Gaza”, tha Halper. Sipas tij, sulmet izraelite shkatërruan shtëpitë palestineze, infrastrukturën civile dhe tokat bujqësore në Gaza. Ai tha se rindërtimi i Gazës mund të kushtojë afro 80 miliardë dollarë.

– “Rreziku më i madh është se populli i Gazës nuk ka të drejtë fjale”

Halper tha se “Rreziku më i madh i kësaj strukture, të cilën (presidenti i SHBA-së Donald) Trump e quan Bordi i Paqes, të cilin ai do ta menaxhojë në Gaza me (ish-kryeministrin britanik) Tony Blair, është se populli i Gazës nuk ka të drejtë fjale”.

“Askush nuk e ka pyetur popullin e Gazës për qeverisjen e tyre dhe se Autoriteti Palestinez nuk është përfshirë në të gjithë këtë proces”, tha Halper duke shtuar se gjithçka që lidhet me Gazën po vendoset nga jashtë.

“Si do të qeveriset Gaza, kush do të qëndrojë në Gaza, çfarë lloj rindërtimi do të ketë? Asnjë nga këto nuk ka të bëjë me banorët e Gazës ose popullin palestinez. Rreziku i vërtetë është marrja e qeverisjes së tyre dhe aftësisë së tyre për të qëndruar në Gaza dhe dorëzimi i saj kolonialistëve. Kjo është vërtet një situatë kolonialiste”, vlerëson Halper.

– “Kërcënim për vendet muslimane dhe të krishtera”

Antropologu izraelit thotë se të gjithë duhet të sigurohen që banorët e Gazës të qëndrojnë atje, që të drejtat e tyre të mbrohen dhe që ata të mund të vazhdojnë të jetojnë në Gaza.

“Të gjitha vendet fetare në Gaza janë shkatërruar. Po flasim për xhami me dorëshkrime të lashta islame. Po flasim për kisha të lashta. E dini, rreziku i madh është nëse e gjithë Palestina bëhet një shtet hebre i Izraelit, çfarë do të ndodhë me këto vende fetare? Ekziston një rrezik real që xhamitë të shndërrohen në sinagoga. Mendoj se është një rrezik dhe një kërcënim për vendet e shenjta muslimane dhe të krishtera”, tha Halper.

Ai tha se Marrëveshjet e Abrahamit, nëse bazohen në “idenë e normalizimit të marrëdhënieve dhe vendbanimeve me Izraelin”, ato përbëjnë një plan antipalestinez.

Halper mbron idenë se “Izraeli mund të fitojë në mënyrë ironike me ndihmën e vendeve arabe”. “Mendoj se disa udhëheqës të këtyre shteteve arabe po u japin përparësi interesave të tyre mbi interesat e rajonit dhe ky është rreziku i vërtetë”, tha ai.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button