“Anija e Mirësisë” e 17-të e Turqisë me ndihma për Gazën mbërrin në portin Al-Arish të Egjiptit

“Anija e Mirësisë” e 17-të e Turqisë që transporton ndihma humanitare për Gazën, mbërriti në portin Al-Arish të Egjiptit, raporton Anadolu.
Të martën më 14 tetor, në portin ndërkombëtar të Mersinit në Turqi u mbajt një ceremoni për të përcjellë anijen që transportonte 900 tonë ndihma humanitare, e koordinuar nga Presidenca e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) dhe e mbështetur nga 17 organizata të shoqërisë civile.
“Anija e Mirësisë” e 17-të, e quajtur “Akdeniz” u nis me lutje pas një fjalimi nga ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya. Pas një udhëtimi tre-ditor dhe përfundimit të procedurave ligjore, anija u ankorua në portin Al-Arish në Egjipt, portin më të afërt me Gazën.
Në mesin e produkteve të ndihmës rreth 900 tonë ndihma humanitare në bordin e anijes përfshihen ushqim për fëmijë, ushqim të gatshëm, mallra të konservuara dhe produkte të nevojave themelore. Produktet e ndihmës do të shkarkohen në bashkëpunim me AFAD dhe Gjysmëhënën e Kuqe Egjiptiane dhe më pas do të transportohen në Gaza me rrugë tokësore.
Që nga 8 tetori 2023, Turqia ka dërguar me 14 avionë dhe 16 anije, ndihma humanitare për Gazën e cila ndodhet nën sulmet e Izraelit. Ndërsa “Anija e 17-të e Mirësisë” është anija e parë që është nisur për ndihmë humanitare në rajon pas armëpushimit.



