“Aneksimi i Grenlandës mund t’i kushtojë SHBA-së mbi 700 miliardë dollarë”

Marrja e Grenlandës mund t’i kushtojë më shumë se 700 miliardë dollarë presidentit të ShBA-së Donald Trump dhe administratës së tij, thanë tri burime, sipas NBC News.
Shuma korrespondon me më shumë se gjysmën e buxhetit vjetor të Departamentit të Mbrojtjes, por, pavarësisht kritikave, Trumpi ka treguar vendosmëri në vendimin e tij, duke thënë se ShBA-ja do ta ketë ishullin prej 800 mijë miljesh katrorë “në një mënyrë ose në një tjetër”, raportoi NBC News të mërkurën.
Dëshira e Trumpit për ta “zotëruar” tokën vjen nga një shqetësim se banorët mund të kërkojnë pavarësi. Disa ekspertë dhe ish-zyrtarë amerikanë paralajmërojnë se nëse banorët e Grenlandës veprojnë sipas dëshirës së tyre, vija bregdetare e ishullit mund të bjerë nën kontrollin e Rusisë ose Kinës.
“Grenlanda nuk dëshiron të jetë në pronësi, e qeverisur ose pjesë e ShBA-së”, tha ministrja e Jashtme e Grenlandës, Vivian Motzfeldt, pas mbërritjes së saj të martën në Uashington për t’u takuar me zëvendëspresidentin e ShBA-së JD Vance dhe sekretarin e Shtetit Marco Rubio.
Zona strehon një prani të vogël ushtarake amerikane në bazën hapësinore Pituffik dhe historikisht ka qenë e hapur për të pritur asete shtesë ushtarake ose negociata në lidhje me burimet e saj të vlefshme, të tilla si mineralet e rralla të tokës.
Megjithatë, kohët e fundit, retorika e Trumpit ka ndryshuar ndjeshëm dhe deklaratat e tij tani po merren më seriozisht brenda administratës së tij dhe nga aleatët e ShBA-së. Një qasje më pak e kushtueshme mund të përfshijë një marrëveshje ku Uashingtoni ofron ndihmë financiare në këmbim të ruajtjes së një pranie sigurie.
Por, Trumpi ka shprehur vazhdimisht dëshirën që ShBA-ja të ketë kontroll më të madh mbi ishullin, duke e krahasuar atë me zotërimin e pronës në vend të dhënies së saj me qira. /TRT World/



