Andonovski: Qeveria është gati për Regjistrim digjital të popullsisë në vitin 2026

Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, deklaroi se Maqedonia e Veriut ka kapacitet të plotë për të realizuar një regjistrim digjital të popullsisë, ndërsa objektivi i Qeverisë është që ky proces të zhvillohet në vitin 2026.

Në një intervistë për edicionin informativ të TV Sitel, Andonovski theksoi se edhe pse sipas standardeve ndërkombëtare regjistrimi i radhës parashikohet në vitin 2030 ose 2031, Qeveria është e vetëdijshme për nevojën e rishikimit të metodologjisë së përdorur në vitin 2021, e cila u vlerësua si e papërshtatshme nga Gjykata Kushtetuese.

“Që në prill të këtij viti kemi krijuar një grup pune të gjerë, me qëllim që të krijojmë kushte për realizimin e një regjistrimi digjital në vitin 2026. Kemi kapacitet dhe ky është një nga prioritetet e programit qeveritar,” deklaroi ministri.

Ai sqaroi se Ministria për Transformim Digjital posedon një Regjistër Qendror të Popullsisë, që mbledh të dhëna nga Ministria e Punëve të Brendshme, Enti për Regjistrimin e Gjendjes Civile dhe Regjistri Qendror. Gjatë periudhës në vijim, do të punohet intensivisht në pastrimin dhe plotësimin e të dhënave, në mënyrë që vendi të jetë i gatshëm, pavarësisht nëse regjistrimi do të mbahet në 2026 apo në 2031.

Si shembull pozitiv të një shteti me sistem të avancuar të regjistrimit digjital, Andonovski përmendi Slloveninë. Regjistrimi i popullsisë nxiti debate pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila anuloi metodologjinë e regjistrimit të vitit 2021, që diasporën e shpalli si popullsi jorezidente, duke e ndarë nga ajo rezidente. Ky vendim nxiti debate edhe në planin etnik, pasi që shqiptarët tashmë me përfshirjen e diasporës në total nga 24.3% llogariten 29.5% në RVM.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button