Amerikani dënohet me 53 vite burg për vrasjen e një fëmije palestinezo-amerikan

Një shtetas amerikan është dënuar me 53 vite burg për therjen për vdekje të një djali gjashtëvjeçar palestinezo-amerikan, pasi u shpall fajtor për akuza për krim urrejtjeje dhe vrasje.

Gjyqtarja Amy Bertani-Tomczak shpalli vendimin të premten për 73-vjeçarin Joseph Czuba, pronar i një shtëpie në Illinois.

Më 14 tetor 2023, vetëm disa ditë pas nisjes së luftës së Izraelit në Gaza, Czuba sulmoi dy qiramarrësit e tij, Hanan Shaheen dhe djalin e saj të vogël, Wadee Alfayoumi.

Policia tha se Czuba kishte shkuar në derën e tyre i tërbuar për luftën dhe ishte futur me forcë në shtëpi, duke e mbytur Shaheenin dhe duke e mbajtur të shtrirë përpara se të nxirrte një thikë të stilit ushtarak.

Shaheen mori mbi një duzinë plagë me thikë përpara se të arratisej në banjo për të thirrur 911. Ndërkohë, Alfayoumi u godit 26 herë me thikë dhe nuk mbijetoi.

Në gjyq u paraqit audioja e thirrjes së Shaheen në 911, si dhe dëshmia e saj vetë. Ajo përshkroi nga stenda e dëshmitarëve, në anglisht dhe arabisht, sesi Czuba ishte bërë gjithnjë e më paranojak dhe islamofob ndërsa lufta përshkallezohej.

Për gati dy vite para sulmit, familja kishte marrë me qira dy dhoma në shtëpinë e Czuba-s në Plainville të Illinoisit, pranë Çikagos.

Por pas fillimit të luftës më 7 tetor, Shaheen kujton se ai i kishte thënë të largohej sepse “myslimanët nuk janë të mirëpritur”.

Gjatë sulmit, ajo dëgjoi sërish si ai përmendte fenë e saj myslimane. “Më tha: ‘Ti si myslimane duhet të vdesësh’”, dëshmoi Shaheen.

Ky incident ishte një nga aktet më të profilit të lartë të dhunës kundër palestinezëve, arabëve dhe myslimanëve në SHBA pas shpërthimit të luftës në Gaza.

Por aktivistët thonë se ky rast është pjesë e një vale më të gjerë urrejtjeje antipalestineze dhe islamofobe që ka përfshirë vendin muajt e fundit.

Pas sulmit, policia e gjeti Czuba-n ulur në tokë jashtë shtëpisë, me duart dhe trupin me gjak. Ai u deklarua i pafajshëm dhe mbrojtja kërkoi anulimin e vendimit, duke pretenduar se prokuroria kishte luajtur me emocionet e jurisë.

Disa nga pamjet e vendit të krimit ishin aq grafike, saqë gjyqtarja urdhëroi që ekranet e gjykatës të ktheheshin larg publikut. Anëtarët e jurisë dëgjuan Shaheen duke thënë me frikë në telefon: “Pronari po më vret mua dhe beben time!”

Gjatë deklaratës hapëse, ndihmës prokurori Michael Fitzgerald përshkroi momentet e fundit të Alfayoumit si të mbushura me tmerr. “Ai nuk kishte ku të ikte”, tha ai. “Sikur të mos mjaftonte që ky i pandehur e vrau atë fëmijë të vogël, ai la edhe thikën në trupin e tij.”

Në shkurt, jurisë i mjaftuan më pak se 90 minuta për të shpallur vendimin e fajësisë.

Të premten, gjyqtarja Bertani-Tomczak e hodhi poshtë kërkesën e mbrojtjes për anulim të vendimit. Duke shpallur dënimin, ajo i quajti veprimet e Czuba-s “të egra” dhe “të neveritshme”.

Ajo dha 30 vite burg për vrasjen e Alfayoumit, 20 vite për sulmin ndaj nënës së tij dhe 3 vite për krimin e urrejtjes.

Mahmoud Yousef, xhaxhai i madh i Alfayoumit, ishte i vetmi anëtar i familjes që foli në seancën e dënimit. Ai tha se asnjë kohë burgu nuk mund ta kompensojë humbjen që ka pësuar familja.

Ai shtoi se Alfayoumi e kishte parë Czuba-n si një figurë gjyshi dhe pyeti se çfarë “lajmi të rremë” për luftën në Gaza mund ta kishte nxitur një dhunë të tillë.

“Disa njerëz po e sjellin këtë luftë në këtë vend”, tha Yousef. “Nuk mund ta bëjmë këtë. Nuk mund të sjellim luftën këtu. Nuk mund të sjellim urrejtje në këtë vend.”

Komiteti Amerikan-Arab kundër Diskriminimit (ADC) reagoi gjithashtu ndaj dënimit duke u bërë thirrje amerikanëve të refuzojnë urrejtjen dhe paragjykimet.

“Kjo gjykim sjell një farë drejtësie dhe përgjegjësie për një tragjedi që e ka tronditur komunitetin tonë”, tha drejtori ekzekutiv i grupit, Abed Ayoub. “Duhet të bashkohemi për të siguruar që tragjeditë e nxitura nga urrejtja ndaj arabëve, palestinezëve dhe islamofobia të mos pranohen kurrë si normale në shoqërinë tonë.”

Në mars, Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR) publikoi një raport ku thuhej se kishte pranuar 8,658 ankesa për incidente kundër myslimanëve dhe arabëve vetëm në vitin e fundit – një rritje prej 7.6 për qind.

Ky ishte numri më i lartë që grupi kishte regjistruar që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave në vitin 1996.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button