Ambasada amerikane në Bagdad: Largimi nga Iraku është “opsioni më i mirë” për amerikanët

Sipas Ambasadës së SHBA-së në Bagdad, për “shumë” qytetarë amerikanë në Irak, largimi nga vendi është “opsioni më i mirë” nëse mund ta bëjnë këtë në mënyrë të sigurt, transmeton Anadolu.
“Qytetarët amerikanë në Irak inkurajohen fuqishëm të rishikojnë situatën e tyre të sigurisë personale. Për shumë prej tyre, largimi nga Iraku sa më parë dhe në mënyrë të sigurt është opsioni më i mirë”, tha ambasada amerikane.
“Amerikanët që zgjedhin të mos largohen duhet të qëndrojnë vigjilentë, të mbajnë profil të ulët dhe të jenë të përgatitur të strehohen në një vend të sigurt për periudha të gjata”, shtoi ajo.
Ambasada paralajmëroi se Irani dhe grupet e lidhura me Iranin “vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të madh për sigurinë publike”.
“Qytetarëve amerikanë u bëhet thirrje të tregojnë kujdes maksimal, të mbajnë profil të ulët dhe të shmangin zonat që mund t’i bëjnë objektiva”, thuhet në deklaratë.
Ambasada njoftoi se hapësira ajrore aktualisht është e mbyllur dhe fluturimet komerciale nga Iraku nuk po operojnë për momentin, duke shtuar se rrugët tokësore drejt Jordanisë, Kuvajtit, Arabisë Saudite dhe Turqisë janë të disponueshme.
“Shumica e pikave kufitare tokësore janë aktualisht të hapura, por mund të mbyllen pa paralajmërim paraprak. Udhëtarët duhet të presin vonesa të gjata. Transporti lokal tokësor aktualisht po funksionon”, shtoi ambasada.
Përshkallëzimi rajonal është rritur që kur Izraeli dhe SHBA-ja nisën një sulm të përbashkët kundër Iranit më 28 shkurt, i cili deri tani sipas autoriteteve iraniane ka vrarë mbi 1.300 persona dhe ka plagosur më shumë se 10.000 të tjerë.
Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane.



