Alternativa e Egjiptit ndaj planit të Trumpit për Gazën synon ta lërë anash Hamasin

Një plan për Gazën, i hartuar nga Egjipti për t’iu kundërvënë ambicies së presidentit amerikan, Donald Trump, për një rivierë të Lindjes së Mesme, do ta linte anash Hamasin dhe do ta zëvendësonte atë me organe të përkohshme të kontrolluara nga shtete arabe, islame e perëndimore, sipas një drafti që e ka parë agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në vizionin e Egjiptit për Gazën, i cili pritet të prezantohet në një samit të Ligës Arabe të martën, nuk saktësohet nëse propozimi do të zbatohet para ose pas ndonjë marrëveshjeje të përhershme armëpushimi për t’i dhënë fund luftës që nisi më 2023.
Plani i Trumpit, në të cilin parashikohet largimi i banorëve palestinezë nga Gaza, duket se distancohet nga politika e vjetër amerikane për Lindjen e Mesme, e përqendruar në një zgjidhje me dy shtete, dhe ka nxitur zemërim në mesin e palestinezëve dhe vendeve arabe.
Çështja se kush do ta qeverisë Gazën pas konfliktit mbetjet pyetja e madhe pa përgjigje në bisedimet për të ardhmen e enklavës. Hamasi deri më tani e ka refuzuar idenë që palestinezëve t’u imponohet çfarëdo propozimi nga shtete të tjera.
Në planin e Egjiptit nuk trajtohen çështje kyçe si pyetja se kush do ta financojë rindërtimin e Gazës e as nuk përvijohet ndonjë hollësi specifike për atë se si do të qeverisej Gaza e as se si do të lihej anash një grup i armatosur si Hamasi, përcjell gazeta “Nacionale”.
Sipas planit të Kajros, një Mision i Asistencës Qeverisëse do ta zëvendësonte qeverinë e drejtuar nga Hamasi për një periudhë të përkohshme të pasaktësuar dhe do të ishte përgjegjëse për ndihmat humanitare e për fillimin e rindërtimit të enklavës, e cila është shkatërruar nga lufta.
“Nuk do të ketë financim të madh ndërkombëtar për rehabilitimin dhe rindërtimin e Gazës, nëse Hamasi mbetet elementi mbizotërues dhe i armatosur politik në terren në kontroll të qeverisjes lokale” – thuhet në një preambulë që i përvijon objektivat e draft-planit të Egjiptit.
Egjipti, Jordania dhe vendet arabe të Gjirit Persik gati qe një muaj kanë qenë duke bërë përpjekje për të formuluar një ofensivë diplomatike për t’iu kundërvënë planit të Trumpit. Disa ide janë propozuar, ndërsa ajo e Egjiptit konsiderohet si kryesuese.
Agjencia “Reuters” nuk ka arritur që të përcaktojë nëse udhëheqësit arabë do ta mbështesin planin e paraqitur nga Egjipti.
Në planin e Kajros nuk saktësohet se kush do ta udhëheqë misionin qeverisës. Draft-plani iu dhurua agjencisë “Reuters” nga një zyrtar i përfshirë në bisedimet për Gazën, i cili dëshiroi të mbetej anonim për shkak se drafti nuk është bërë ende publik./Nacionale