AlternAtivA: A i ka futur Artan Grubi duart edhe në RTVM?

Partia Alternativa, pjesë e koalicionit opozitar shqiptar, thotë se nga burime të brendshme të servisit informativ RTVM, në mbledhjet e kolegjiumit të redaksisë së kanalit të dytë, më saktë të programit në gjuhën shqipe, vazhdimisht merr pjesë një person që është i punësuar në një ministri, të cilin madje e kanë prezantuar si këshilltar të drejtorit Marjan Cvetkovski, madje edhe si zëvendësdrejtor. Sipas informacioneve të Alternativës, personi i apostrofuar është i punësuar në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.
“Kjo është arsyeja që ta pyesim publikisht ministrin Artan Grubi se kush është ky person dhe çfarë kërkon ai në mbledhjet e RTVM-së? Përveç tij, përgjigje se kush është ky emisar i Artan Grubti aty dhe me çfarë roli ai përzihet në RTMV duhet të japë edhe kryeredaktorja e kanalit të dytë, Merita Gashi”, thotë Alternativa.
Ata thonë më tej se pjesëmarrja e njerëzve të politikës në mbledhjet e servisit publik është skandaloze dhe e ndaluar me ligj.
“Duke e konstatuar këtë gjendje, nuk mund të mos konkludojmë se zëvendëskryeministri i parë i kazinove dhe lojërave të fatit, njësoj si Gebelsi i nazizmit, po shndërrohet dhe në ministër të Propagandës, duke dashur që ta kontrollojë edhe politikën informative të servisit publik, për të cilin paguajnë të gjithë qytetarët dhe i cili duhet t’i shërbejë informimit të drejtë dhe të paanshëm të publik”, thuhet në reagimin e Alternativës.



