Alija – Ringjallësi i “kombit të mohuar”

Alija Izetbegoviqi, si mendimtar, jurist, president, ishte figura katalizatore që e kaloi grupin fetar dhe rajonal të “myslimanëve” në një komb modern (boshnjakët), duke u dhënë atyre si një popull emrin e tyre historik dhe duke udhëhequr krijimin dhe mbrojtjen e shtetit të tyre. Në sferën intelektuale (fetare/historike) ai perceptohet shpesh si “islamist” (bazuar në mendimet e tij të hershme). Në sferën politike (praktike) ai ka vepruar sipas rrethanave dhe kornizës europiano-perëndimore (duke luajtur sipas rregullave të demokracisë shumëpartiake dhe të së drejtës ndërkombëtare për ta shpëtuar shtetin e Bosnjës).
Ali PAJAZITI, Shkup
Vjeshtë 1989. Një ditë me shi në avllinë e Xhamisë së Beut të Sarajevës. Ne, studentë të rinj, të hutuar në një çarshi dhe shehër të huaj. Sapo kishim shkelur në qytetin më të hapur, gjegjësisht kryeqytetin kulturor-shpirtëror të ish-Jugosllavisë, në fund të çarshisë së të cilit puqen Lindja me Perëndimin, Perandoria Osmane me Austro-Hungarinë. Kishim kaluar vetëm udhën që e ndan ITF-në nga xhamia, 20 metra, për ta falur ylenë. Shoku ynë, student i vitit të tretë, na e tërhoqi vëmendjen drejt siluetës së një njeriu me kapelë tipike boshnjake (beretka) që reflektonte papërkulshmëri dhe karizmë. “Ky është Izetbegoviqi” – tha ai. “Një njeri shumë i thellë, një idealist i paparë, jurist me profesion, filozof par excellence. Ka bërë vite burg për shkak të antikomunizmit dhe Deklaratës islame”. Dhe, që nga ajo ditë, nisi interesimi ynë për të, e vumë në agjendën e leximeve tona, të cilave kohë pas kohe u kthehemi edhe sot e kësaj dite.
Pas disa muajsh, kolegët boshnjakë të grupit në fakultet, Alosmani, Izeti, Hajrija dhe Fata, lëviznin si në zgjua, si bletë punëtore. Nga takimi në takim, nga tribuna në tribunë, nga konferenca në konferencë, ndërkohë e shpërndanin gazetën “Muslimanski glas”, më pas “Liljan”, që ishin organe promovues të kombtarizmës boshnjake, të konceptit izetbegoviqian të SDA-së (Partisë së Aksionit Demokratik). Ndërkohë, herë-herë debatonim me rinistët boshnjakë për temat aktuale ne menzë, në ligjërata dhe ndiqnim ndodhitë zinxhir, që në fakt ishin sekuenca të filmit të zhbërjes së një “shteti monumental” – RSFJ-së (Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë).
“Kombi kulturor”: feja si tharm
Alija Izetbegoviqi (1925-2003), i mbiquajtur “babai i kombit boshnjak” (Bezruçenko, 2023), ka luajtur një rol themelor dhe qendror në rigjallërimin, definimin dhe afirmimin ndërkombëtar të kombit boshnjak në fund të shekullit XX, madje edhe sot. Siç dihet, boshnjakët në federatën jugosllave, kushtetutërisht, krahas serbëve, kroatëve dhe kombeve të tjera, definoheshin si Myslimanë, pra me shkronjë të madhe, ndërsa si besimtarë me m të vogël. Sociologjia dhe politikëbëria jugosllave bëri huqjen e madhe politologjike: atë të vënies shenjë barazie mes përkatësisë fetare dhe asaj kombëtare, pra krijoi një përkatësi kombëtare që s’ka precedent në kontekstin europian, kjo me qëllim të krijimit të një galimatiasi mendor te boshnjakët, për t’i bërë inferiorë ndaj atyre që sociologjikisht ishin formuar si kombe: serbëve dhe kroatëve. U jepej shenja se s’kanë arritur stadin e kombit, synohej t’u zbehej ndjesia kombëtare, duke vënë theksin te religjioni, por ndërkohë u afirmua differentia speciffica-n e boshnjakëve a propos dy kombeve dominante në Jugosllavi.
Është fakt i pamohueshëm se boshnjakët, për shkak të faktorëve eksternalë dhe atij intern, nevoja për t’u mbrojtur nga gllabërimi nga dy të tjerët më të fuqishëm, gjithnjë kanë kultivuar një identitet me ngjyresa fetare, gjë që politikisht dhe kulturalisht del e arsyetuar, por edhe ata si të tjerët i kanë pasur të gjitha elementet dalluese të një kombi, përfshi edhe gjuhën që ka nuanca dallimi nga dy gjuhët e tjera (serbishtja dhe kroatishtja). Shkronja H e theksuar dhe orientalizmat janë tipare specifike të kësaj gjuhe, që fjalorin e parë e ka pasur qysh në vitin 1631 (Uskufijev rječnik). Kanë pasur edhe shtetin më të vjetër në mesin e fqinjëve, qysh në shek. VIII (Klaić, 1882), bogumilizmin (shek. X-XV) dhe mbretërinë e Tvrtkos.
Roli i Alija Izetbegoviqit, ndonëse edhe vetë fetar dhe mysliman devotshëm, lidhet ngushtë me kalimin nga identiteti fetar dhe rajonal në identitetin kombëtar dhe shtetformues, veçanërisht pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Pra, ai e detektoi gabimin e inxhinierëve socialë të komunizmit, duke kthyer velat kah një tezë më konvencionale: të kombit ose etnisë, gjë që përbën një rigjallërim të identitetit ose (ri)bërje të kombit. Ai u tha JO tendencave serbe dhe kroate për përvetësim të këtij entiteti përmes “asimilimit të heshtur”, duke theksuar se boshnjakët janë një komunitet natyror dhe historik. Në Kongresin e Boshnjakëve, në vitin 1993, u shpall që emri kombëtar për myslimanët sllavë të ishte boshnjak (bošnjak). Ky hap, i shtyrë përpara fuqishëm nga autoriteti i Izetbegoviqit, shënoi një ndarje nga identiteti i imponuar jugosllav dhe një afirmim të vazhdimësisë historike të identitetit boshnjak. Izetbegoviqi e lidhi ngushtë fatin e kombit boshnjak me fatin e shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës (BeH). Ai ishte udhëheqësi që e çoi Bosnjën drejt referendumit të pavarësisë në vitin 1992, duke krijuar për herë të parë një shtet modern ku boshnjakët vetë e përcaktonin fatin e tyre.
Gjatë Luftës së Bosnjës (1992-1995), Izetbegoviqi shërbeu si president i BeH-së. Lidershipi i tij, veçanërisht gjatë Rrethimit të Sarajevës, u bë simbol i qëndresës dhe mbijetesës kombëtare të popullit. Kjo më së miri pasqyrohet në veprën e tij Robër nuk do të bëhemi (Fjalime 1990-1995). Ai ka jetuar mes dy idealizmave, atij fetar dhe atij nacional. Kjo e ka çuar edhe në ndarje të rrugës me miqtë më të afërt të kauzës. Ai brenda kampit konservator të partisë së vet pati mospajtime me krahun e emigrantit të mirënjohur boshnjak, themeluesit të “Institutit Boshnjak” në Zvicër, Adil Zulfikarpashiq. Arsyeja: Alija e shihte atë me identitet religjioz, kurse Zulfikarpashiq e perceptonte si kategori të boshnjakizmit. (Ismaili, 2019)
Izetbegoviqi ka qenë një optimist i madh, edhe përkundër pabarazisë në asete luftarake gjatë luftës 1992-1995, gjenocidit ndaj popullit mysliman, madje edhe kur kishte humbur jetën çdo i 10-ti banor i këtij vendi, ai ngulmonte në krijimin e një shteti qytetar dhe demokratik. Ishte lider që dinte t’i kontrollojë krizat shtetërore, që me kreativitetin e tij arriti të bëhet edhe ushtar, edhe burrështetas, edhe ideator, por edhe ideolog i politikës shtetërore, gjithmonë në qëllime prohumane. (Muslimović & Cikotiq, 2016)
Boshnjakëria: arratisje nga jugosllavizmi
Boshnjakët kanë qenë populli më i hapur, më pak paragjykues, në ish-Jugosllavi, deri në atë shkallë saqë janë vetërrezikuar, kanë pasur një trend të anëtarësimit në një komb artificial, të prodhuar nga etatizmi jugosllav, i quajtur “jugoslovenstvo” (jugosllavizmi), që – mes tjerash – është shprehur edhe nga pagëzimi i fëmijëve me emra joislamikë (Zdravko, Goran, Zlatan ishin ndër të zakonshmit mes boshnjako-myslimanëve), që ka nënkuptuar kapërcimin e nacionales, boshnjakes dhe anëtarësimin në një diçka mbinacionale. Këtë e ka shprehur më qartësisht një boshnjake e serbizuar, Fahreta Jahiq, përmes këngës “Ja sam jugoslovenka” (Jugosllave jam).
Sipas të dhënave të regjistrimeve të vitit 1961 dhe 1981 nga “Demographic History of Bosnia and Herzegovina”, në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitin 1961 8.4% e popullsisë boshnjako-myslimane janë deklaruar si jugosllavë, ndërsa në vitin 1981 kjo shifër ka qenë 7.9%. Të kësaj vije kanë qenë edhe martesat e përziera me serbë/e dhe kroatë/e, ashtu që në disa komuna urbane (Sarajevë, Tuzllë) shkalla arrinte 10–12%, që gjeneronin identitete hibride, ngatërresa botëkuptimore dhe të mënyrës së jetesës, duke pasur parasysh kufizimet fetare që shpesh çonin në lëkundje dhe konflikte familjare dhe më gjerë. Kulmi ishte agresioni i viteve 1992-1995 kur njerëzit nga martesat e përziera duhej të zgjidhnin anën – ja andej ja këndej – sepse asnjanësia ishte absurditet. Aty ndodhi shpërthimi i madh dhe kriza kruciale, kur pati raste të frontalizimit të nipit kundër dajës, të çarjes mes vajzës dhe nënës, babait dhe djalit… Kombndërtimi, në saje të SDA-së, i shpëtoi boshnjakët nga asimilimi i ngadalshëm që mund t’i çonte pjesëtarët e këtij komuniteti drejt serbizimit ose kroatizimit, gjegjësisht drejt zhdukjes së ngadalshme.
Kjo arratisje u pagua me gjak, gjë që e vërteton tezën e shokut tonë boshnjak, Harisit, shprehur në Stamboll në mars të vitit 1993, i cili në një konvikt studentor, mes tjerash, na pati thënë: “Liria vjen me gjak, ajo nuk falet në zarf! Ju, shqiptarët, e prisni t’ju falet me një vendim politik. S’do të ndodhë kurrë. Edhe fëmija kur lind, derdhet gjak, edhe një shtet për të lindur, patjetër të derdhet gjaku!” Shprehur me fjalët tona shqip: “Gjaku i lirisë” pa UÇK-në s’do të kishte Kosovë të pavarur. Shyqyr Zotit ne shqiptarët s’e kemi problemin boshnjak të gjuhës identike me tre kombe të tjera (+malazezët), që jep mundësinë e flirtimit me tjetrin etnik. Pra, gjuhën e kemi barrierë të fuqishme ndaj asimilimit që para lufte i rrezikonte myslimanët boshnjakë, që barrierë të vetme e kanë fenë, nga e cila burojnë zakonet, traditat dhe modus vivendi i tyre në përgjithësi. Shkurt, boshnjakëria është një strumbullar që mund të quhet “anija shpëtimtare” e këtij “kombi të papërfunduar” (Bačanović, 2012).
Bosanac-Bosantsvo: supra-identitet apo metaforë e kombit politik iluzor
Izetbegoviqi ishte një politikan aktiv që e shihte islamin si sistem jetësor, ku morali dhe sistemi shoqëror do të ishin të drejtë për të gjitha shoqëritë, edhe për myslimanët edhe për jomyslimanët. Ndonëse mysliman i përkushtuar, vizioni i tij ishte për një Bosnjë multietnike dhe multireligjioze, ku boshnjakët, si shtetformues, do të jetonin në harmoni me popujt e tjerë. Kjo e dalloi botëkuptimin e tij nga nacionalizmat homogjenizues dhe ekstremë serb dhe kroat.
Izetbegoviqi, me konceptin e vet për kombin, ka arritur ta mobilizojë popullin e vet të përbashkohet rreth bazës spirituale, gjegjësisht fesë, ka krijuar komb kulturor ose kombin etnik boshnjak, të bazuar te boshnjakizmi (bošnjaštvo), por s’mund të thuhet se e ka arritur atë që e ka konceptuar lidhur me ndërtimin e kombit qytetar (civic nation) që shprehet përmes termit bosanac. Ky term nënkupton çdo banor të Bosnjë e Hercegovinës që identifikohet me këtë shtet të pavarur. Ai e afirmoi identitetin boshnjak jo si një shpikje të re, por si një vazhdimësi të trashëgimisë kulturore të Bosnjës. Kombi politik, që ai e imagjinonte, sot e këtë ditë nuk është bërë realitet. Është shumë e hollë ideja që gjuha të mos quhet bošnjački por bosanski, pra gjuha shenjon përbashkësinë mbinacional(ist)e dhe shtetësinë.
Bosanac është pjesëtari i kombit politik inkluziv cep më cep këtij vendi. Përderisa kombi kulturor bazohej te islami, kombi politik ose qytetar (bosanstvo) bazohet te gjuha boshnjake (bosanski jezik), te gjeografia, te shtetësia, te ndërgjegjja kolektive durkheimiane unike e të tria entiteteve, që mbetet iluzore (mi, bosanci [i hercegovci]), kjo ngase serbët dhe kroatët i kanë forcat e tyre centrifugale, Kroacinë dhe Serbinë, që i bëjnë ata gjithnjë të mbështeten te shtetet amë përkundër Bosnjës. Faktor i dytë i animozitetit ndaj kombit, të shprehur përmes nocionit bosanci (qytetarët e Bosnjës), është feja, gjegjësisht islami. Serbët e kroatët pyesin: “Si të bëhemi pjesë e një kombi ku prijatarë janë boshnjakët që bazohen te Islami?”.
Ku qëndron dallimi mes termave boshnjak dhe bosanac? Disa kanë arritur ta bëjnë këtë dallim, por jo masovikisht. Për shembull, këngëtari i famshëm Zdravko Čolić, ndonëse është serb etnik, veten e identifikon si “bosanac”. Disa “bosanac” e shohin si kategori të katërt kushtetuese: një identitet ombrellë në të cilin do të ndiheshin rehat të gjithë qytetarët e Bosnjë dhe Hercegovinës, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike dhe fetare, pavarësisht nëse ata janë boshnjakë, serbë, kroatë, romë… Sipas politologut Žarko Papić, “një komb i ri në Bosnjë e Hercegovinë, bosanska nacija, nuk është i mundur, sepse në BeH tashmë janë formuar tre kombe autoktone.” Kombi i Bosnjë-Hercegovinës do të jetë mission impossible përderisa Kroacia i ushqen kroatët me të mira ekonomike (parà), kurse Serbia me histori, ideologji, mite nacionale e të tjera. (Kamber, 2022)
Pragmatizmi pro-kauzë dhe kombndërtimi sportive
Alija Izetbegoviqi, si mendimtar, jurist, president, ishte figura katalizatore që e kaloi grupin fetar dhe rajonal të “myslimanëve” në një komb modern (boshnjakët), duke u dhënë atyre si një popull emrin e tyre historik dhe duke udhëhequr krijimin dhe mbrojtjen e shtetit të tyre. Në sferën intelektuale (fetare/historike) ai perceptohet shpesh si “islamist” (bazuar në mendimet e tij të hershme). Në sferën politike (praktike) ai ka vepruar sipas rrethanave dhe kornizës europiano-perëndimore (duke luajtur sipas rregullave të demokracisë shumëpartiake dhe të së drejtës ndërkombëtare për të shpëtuar shtetin e Bosnjës). Ky dualitet sugjeron se Izetbegoviqi bëri një zhvendosje pragmatike (ose evolucion) nga një idealist fetar në një realist politik. Ai i përdori parimet europiane të demokracisë dhe qytetarisë si mjetin më të mirë për të siguruar mbijetesën e popullit boshnjak dhe sovranitetin e shtetit të Bosnjës pas vitit 1990, duke lënë anash retorikën e ndërtimit të një “shteti islam” në favor të asaj të një shteti ligjor multietnik. Në kuvendin themelues të SDA-së në Sarajevë, më 26 maj 1990, Izetbegoviqi kishte thënë: “Bosnja është edhe myslimane, edhe serbe, edhe kroate”, kurse në fjalimin parazgjedhor të Velika Klladushës të 15 shtatorit të po atij viti kishte shpallur: “Ideali ynë është republika qytetare e BeH-së, jo republikë islame e as socialiste.” Rrëfimi i kombit të mohuar dhe “shtetit në këmbë të qelqta” vazhdon. Paralel me këtë, trashëgimia izetbegoviqiane edhe post mortum qëndrojnë si armaturë e fuqishme e kësaj ngrehinë shoqërore. Ndërkohë, lidershipi etik i Izetbegoviqit është guidë për politikën e korruptuar gjithandej. Mendimi i tij filozofik e pozicionon atë në mesin urtarëve të kohës. S’është e rastësishme që i është dhënë epiteti “mbreti urtar” (bilge kral). Konkluzionet finale – ideologjia e bosnjaštvo-s është vitale, kurse bosanstvo mbetet vetëm si teori dhe vazhdon të refuzohet, pos disa segmenteve terciare si sporti, më shpesh futbolli (herë edhe basketbolli si rasti “Eurobasket 2025”), kur kjo ndjesi aty këtu ngjallet (“Nacija preko nogometa” [Kombi përmes futbollit]).



