Alija Izetbegoviqi dhe shqiptarët

Liridashësi Alija Izetbegoviq, me luftën çlirimtare kundër okupatorit serb, u shndërrua në një model të mospranimit të gjendjes së robërisë edhe për shqiptarët e ish-Jugosllavisë. Duke e pasur shembullin e njeriut, i cili si udhëheqës i kishte prirë luftës, në njërën anë, dhe shembullin e përpjekjeve diplomatike për pavarësinë e vendit, në anën tjetër, në rrethana krejtësisht të pamundshme, djemtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin një argument më shumë për atë se luftën, rëndom, e fiton ai që në të e investon, krahas mendjes, edhe zemrën.

Hysen MATOSHI, Prishtinë

Duke bërë fjalë për shënimin e 9 majit, të njohur si Dita e Fitores mbi Fashizmin, më 1999, Alija Izetbegoviqi, e kontestonte fitoren zyrtare mbi të keqen më të madhe të shekullit XX. Argumentet e tij e kanë emrin e Bosnjës dhe të Kosovës. Bosnja, atëbotë, po shëronte plagët, ndërsa Kosova po përjetonte riciklimin monstruoz të dhunës serbe. Dhe, vërtet s’ka se si të mos krijohet përshtypja se e keqja në botë mbetet konstante dhe se ndryshon vetëm forma e saj. Nëse vritet një komb në përmasën e dhjetëpërqindëshit, nëse kampet e përqendrimit shfaqen me pamje tmerruese para syve tanë, paçka se Europa ishte betuar se nuk do t’i lejonte më kurrë, nëse përmasat e deportimit kapin parametrat e shpërbërjes totale etnike, nëse edhe toka ku jetonin “hebrenjtë” e fundshekullit XX, boshnjakët dhe shqiptarët, digjej me gjithçka kishte mbi të dhe shumë e shumë nëse të tjera janë fakte për ata që duan të shohin…, vërtet a mund të thuhet se fashizmi është mposhtur më 9 maj të 1945-tës, se është mposhtur përfundimisht më 12 qershor të 1999-tës apo, nëse, vërtet, si ideologji dhe praktikë do të mposhtet ndonjëherë. Fashizmi hitlerian, në një pikëpamje, ishte më lehtë i përballueshëm sesa fashizmi millosheviqian, ngase atë e luftoi bota në një koalicion ushtarak dhe në një solidarësi të gjithanshme ndërkombëtare. Për dallim nga fashizmi i gjysmës së parë të shekullit XX, fashizmi i riinkarnuar në politikën dhe në shoqërinë serbe të fundshekullit, veçse tani i plotësuar edhe me një përbërës jo më pak tronditës për kujtesën njerëzore – me bolshevizmin, megjithëse u shpërfaq në katër akte, secili më tragjik se tjetri, asnjëherë nuk e mori përgjigjen e vendosur të bashkësisë ndërkombëtare, madje asnjëherë nuk u quajt me emrin e tij të vërtetë. Nëse bota i doli në rrugë çmendurisë hitleriane, duke i dhënë përgjigjen e duhur, pavarësisht se kjo kishte një çmim tepër ngjethës, çmenduria millosheviqiane, jo për faktin se krimet ishin të përmasave më të vogla, por pse kriza ishte lokalizuar në Ballkan, nga faktorët e rendit botëror një kohë të gjatë u pa me indiferencë si larje hesapesh ndërmjet fqinjëve. Edhe kur ra perdja e këtyre akteve tragjike të historisë njerëzore, përgjegjësia e Serbisë si shtet agresor në të gjitha rastet u mohua, çuditërisht u shndërrua në përgjegjësi individësh, e cila as si e tillë nuk u dha ndonjëherë në përmasën që e meritonte. Bankrotimi moral i Europës dhe i botës demokratike, në rastin e Bosnjës e të Kosovës, nuk e dëshpëroi dhe nuk e ktheu nga rruga një lider me vizion sikundër ishte Alija Izetbegoviqi. Ai nuk kishte iluzione dhe nuk ishte një trim i hallakatur që pandehte se do të mund ta bënte Bosnjë-Hercegovinën lehtë të pavarur në kontekstin e kohës; por, sikundër do të pohonte shumë herë, si udhëheqës ishte ndodhur para dy mundësive: ta pranonte robërinë apo të luftonte për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tij. Duke u përcaktuar fuqishëm për të vetmin opsion të mundshëm, për luftën për liri, ka pasur të tillë që zgjedhjen e tij e kanë konsideruar të pamëshirshme për vetë kombin boshnjak, por fakti se nuk pranoi t’i linte në robëri bashkëkombësit, dëshmon pikërisht të kundërtën, dëshmon se ishte udhëheqësi që i mirëkuptonte më së shumti interesat e kombit të tij, por edhe interesat e të tjerëve në Bosnjë-Hercegovinë.

Bashkëndjenja me shqiptarët

Kosova e okupuar dhe shqiptarët e shtypur gjithandej ish-Jugosllavisë federale pa asnjë dyshim ishin në mendjen e liridashësit Alija Izetbegoviq. Qysh si i burgosur politik, ai e njihte çështjen shqiptare në Jugosllavi dhe i përkrahte të drejtat e kombit më të robëruar të Europës, megjithëse kishte një pikëshikim tjetër për zgjidhjen e çështjes nga ai i të burgosurve politikë shqiptarë me të cilët kishte fatin ose, thënë më mirë, fatkeqësinë, t’i ndante ambientet e kazamateve të burgjeve komuniste. Është e natyrshme që i robëruari të solidarizohet me pjesëtarët e shoqërisë që janë në lëkurën e tij, pra të robëruar; mirëpo, qëndrimi i Izetbegoviqit nuk ishte thjesht një bashkëndjenjë për kombin e robëruar shqiptar, ishte më shumë se kaq. Qëndrimi i tij ishte parimor, filozofik, ishte qëndrimi i njeriut që e kundërshton robërinë dhe e afirmon lirinë, pavarësisht se për çfarë situate ndodhet, pavarësisht se për çfarë konteksti gjeopolitik bëhej fjalë. Për ta dëshmuar këtë, sjellim ndërmend se edhe kur nuk ishte një burgosur i ndërgjegjes, dhe, për më tepër, ishte një njeri me ndikim në rrjedhat politike të kohës, për Kosovën dhe shqiptarët mbajti një qëndrim të drejtë, duke kërkuar zgjidhje nëpërmjet bisedimeve me përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve, që, në rend të parë, parakuptonte ndalimin e dhunës që e ushtronin gjithandej Kosovës organet ushtarako-policore serbe.

Kështu, njëra ndër pikat kyçe të programit të Partisë së Aksionit Demokratik, themelues i së cilës ishte Izetbegoviqi, merrte parasysh pikërisht çështjen e Kosovës, në rrugët e së cilës atëbotë përditë vriteshin të rinjtë shqiptarë, duke kërkuar më shumë të drejta dhe duke i kundërshtuar reprezaljet serbe. Sikur të jetësohej filozofia politike, e proklamuar në programin e partisë së Izetbegoviqit, kombet që e përbënin federatën jugosllave do ta kishin një fat tjetër, një fat më të mirë. Ja një pjesë domethënëse e programit për Kosovën: “Qëndrimi – interesi ynë tjetër ka të bëjë me krahinën e Kosovës. Konsiderojmë se bëhet fjalë për konflikt ndërnacional, i cili nuk mund të zgjidhet me represion. Rrugëdaljen e vetme e shohim përmes dialogut, ndërsa dialog të suksesshëm mund të zhvillojnë vetëm përfaqësuesit e vërtetë të popullit. Për këtë arsye kërkojmë demokraci për popullin shqiptar…”. Në rast se do të kishim një angazhim të këtillë për demokraci, si një e drejtë universale që duhej të vlente edhe për shqiptarët e shtypur, nga shumica e udhëheqësve të atëhershëm të republikave të ish-RSFJ-së, mbase nuk do të ndodhte që secili të angazhohej veç e veç për ta mbrojtur ekzistencën e kombit të vet.

Alija Izetbegoviqit i bëheshin jo një herë vërejtje për veprimet politike në çastet vendimtare. A kishin të drejtë kritikët e tij? A e kishte kërkuar kryetari belanë dhe a kishte mundur ta shmangte atë? Këto pyetje, me kalimin e kohës, dhe me vështirësimin e pozitës së boshnjakëve myslimanë në Bosnjë-Hercegovinë bëheshin gjithnjë e më të zëshme, kurse autorët e tyre krekoseshin se si koha po u jepte të drejtë. Alija Izetbegoviqi, nëpërmjet fatit të Malit të Zi, të Kosovës e të Sanxhakut, provonte që kritikëve të tij t’ua dëshmonte se pse nga dy të këqija të mëdha, sikundër ishin robëria dhe lufta, e kishte zgjedhur të dytën: “Ne u gjetëm në udhëkryqin historik: ta ulim kokën dhe të mbesim në Jugosllavinë e cunguar, më saktësisht në “Serbinë e madhe”, apo me kokën lart të nisemi drejt lirisë, me të gjitha rreziqet që mund t’i sillte një zgjedhje e tillë? Zgjodhëm rrugën e fundit. Them – zgjodhëm edhe pse nuk jam i sigurt se kjo është fjala e vërtetë… Ne s’kemi mundur ta përdorim ndryshe lirinë tonë. Sepse, ne s’do të ishim ata që jemi sikur atëherë, në emër të sigurisë së dyshimtë, ta kishim zgjedhur nënshtrimin. Natyrisht, kjo pyetje është me vend: çfarë sigurie do të ishte ajo? E shohim qartë atë në pozitën e Malit të Zi, në pozitën e popujve të Kosovës dhe Sanxhakut.

Është e vërtetë se vuajmë dhe vdesim, por këtë e bëjmë për lirinë e Bosnjës. Përndryshe, do të vdisnim për llogaritë e të tjerëve, në ndonjë front kundër Kroacisë, Sanxhakut, Kosovës, ndërsa për nam dhe madhësi të “Serbisë së madhe“.

“Të luftosh sa herë që je i detyruar”

Të mos harrojmë se në këtë periudhë kohore, megjithëse Kosova po i kalonte çastet më të rënda të një letargjie politike e përgjithësisht shoqërore dhe si rezultat i kësaj Serbia e kishte vënë dominimin absolut mbi të, në kohën kur dhjetëra mija shqiptarë vetëm brenda një viti e braktisnin Kosovën, në qarqet tona më të larta politike kjo gjendje trajtohej si shpëtim nga lufta, sikur çelësat e luftës ndodheshin pikërisht në duart e tyre. Ndryshe nga politika jonë shterpe e sehirllëkut, i mbështetur në moton “të bisedosh sa herë që ke mundësi, të luftosh sa herë që je i detyruar”, Izetbegoviqi nuk pushoi së vepruari për Bosnjë-Hercegovinën e idealeve të tij, për një shtet multietnik, multikonfesional e multikulturor, për një shtet të qytetarëve të barabartë e të kombeve të barabarta. Megjithëse u përball me vështirësi e me tmerre të papara që bëheshin mbi kombin e tij, asnjëherë nuk u lëkund nga idetë themelore të tolerancës e të humanizmit. Kurrë nuk i ngatërroi çetnikët me serbët dhe ustashët me kroatët. Luftën e bëri jo për harta të reja, jo për tokën e djegur serbe a kroate, jo për përfituar nga fatkeqësia e tjetrit, jo për të ngritur kampe përqendrimi, jo për të vrarë gra, fëmijë e pleq, por e bëri për të dëshmuar se Bosnja e ëndrrave të tij ishte e mundur, për t’ia siguruar lirinë dhe dinjitetin kombit të tij, për t’i ruajtur simbolet e identitetit të Bosnjës, për ta mbrojtur simbolin e bashkimit, Urën e Vjetër të Mostarit dhe për ta rindërtuar atë, edhe pse, nuk ngurronte të pohonte se, para të ndërtoheshin urat që lidhin lumenjtë, e nevojshme ishte të rindërtoheshin urat e shkatërruara ndërmjet njerëzve. Duke i lexuar kujtimet e tij, mund të kuptohet se si Alija Izetbegoviqi, i rrethuar në Sarajevë, bënte një luftë titanike kundër ushtrive të pajisura me armatimet më të sofistikuara, luftonte kundër njësiteve të Karaxhiqit e të Mlladiqit, kundër Armatës së Jugosllavisë federale, kundër njësiteve të shumta paramilitare serbe, kundër kreaturës kriminale të ashtuquajturës Republika e Kninit, kundër njësiteve të HVO-së, kundër ushtrisë kroate, kundër secesionistëve të tipit Fikret Abdiq, kundër kohës që sa kalonte e sfiliste popullin heroik boshnjak, kundër dimrit, kundër urisë, kundër prapaskenave të diplomacisë, e gjithsesi edhe kundër pleqërisë e sëmundjes… Kur ke parasysh këtë pasqyrë ushtarake e politike, njeriu do të mendonte se gjithçka ishte kundër tij, por jo. Veç gatishmërisë heroike për të vdekur për Atdheun dhe lirinë e tij, që shpërfaqej gjithnjë e më shumë ndër masat e gjera të boshnjakëve, Alija kishte edhe një aleat të madh, të cilin kundërshtarët e tij, qartazi, nuk e kishin: kishte besimin në Zotin dhe në drejtësinë e tij. Kjo nuk e frymëzoi të luftonte vetëm për lirinë e popullit të tij, ngase me po aq zell e mbronte lirinë e secilit, madje edhe të pjesëtarëve të kombeve që bënë agresion mbi Bosnjën.

Në mbështetje të Kosovës

Vite më vonë, kur në Bosnjë jeta e njeriut e kishte fituar peshën e saj, kur sanoheshin, për aq sa ishte e mundur, plagët e gjenocidit, kur rrjedha e përgjithshme po normalizoheshin, Millosheviqi kishte filluar një luftë të re në Ballkan, atë që nuk e kishte realizuar krejtësisht në Bosnjë-Hercegovinë po e eksperimentonte në tokën e Kosovës dhe mbi lëkurën e shqiptarëve. Në kohën e bombardimeve të NATO-s, kur Tugjmani, ky merakli i ndarjes së territoreve, propozonte ndarjen e Kosovës në pjesën shqiptare dhe atë serbe, Alija Izetbegoviqi do të shprehej kështu për këtë tragjedi njerëzore: “Kurrë paqe në Ballkan! Kësaj here regjimi i Beogradit ka vendosur për “zgjidhje përfundimtare” të çështjes së Kosovës. Nga dita në ditë intensifikonte pastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë. Me fshesë të hekurt pastronte gjithçka para vetes. Më shumë se një milion burra, gra dhe fëmijë i kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe janë nisur në drejtim të Maqedonisë, të Shqipërisë dhe të Malit të Zi. Gati njëzet mijë kanë ardhur në Bosnjë. Si përgjigje ndaj kësaj, më 23 mars NATO-ja ka ndërmarrë sulme ajrore kundër caqeve në Jugosllavi. Janë përhapur lajme për vrasje masive të civilëve shqiptarë, por edhe për hamendjet e disa aleatëve perëndimorë për vazhdimin e fushatës. Më 7 prill ia dërgova një porosi Organizatës së Konferencës Islamike, e cila ato ditë mbante mbledhje në Gjenevë:

“Duke shprehur respektin tim të sinqertë dhe mirënjohjen time përfaqësuesve të pranishëm anëtarë të Organizatës së Konferencës Islamike (OIC), në veçanti anëtarëve të Grupit të Kontaktit, dëshiroj t’i lus anëtarët e OIC-ja për ndihmë urgjente popullit të Kosovës, i cili po përjeton ditë shumë të vështira.

E para, propozoj që OIC-ja ta përkrahë pa rezervë aksionin e forcave të NATO-s që është në zhvillim e sipër. Gati një milion shqiptarë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre. Fatkeqësia është duke u shndërruar në njërën nga katastrofat më të mëdha njerëzore pas Luftës së Dytë Botërore. Ky dëbim i paparë i popullsisë civile mund të dënohet apo mos të dënohet, mirëpo ajo që është më me rëndësi, mund të jetë me shpresë për kthimin e tyre, apo pa këtë shpresë. Nëse ndërpritet aksioni i NATO-s, krimi do të ngelë i pandëshkuar, ndërsa popullsia e dëbuar kurrë më nuk do të kthehet në fshatrat dhe qytet e tyre.

E dyta, lus anëtarët e OIC-së që, pa hamendje, t’u japin çdo lloj ndihme refugjatëve nga Kosova, sidomos në tenda, ushqim, veshmbathje dhe medikamente dhe për këtë qëllim të formojnë komitet për koordinimin e ndihmës. Falënderoj Arabinë Saudite dhe Turqinë, të cilat në dhënien e ndihmave popullit të Kosovës, tanimë kanë dhënë shembullin e duhur.

E treta, gjithashtu, ju lus që në dokumentin, të cilin ky tubim i lartë do ta miratojë, të dërgoni fjalë inkurajuese dhe solidariteti me pakicën nacionale boshnjake në Sanxhak.

Duke shprehur dëshirën për punime të suksesshme të OIC-së, ju dërgoj selame vëllazërore dhe shprehjen e respektit tim më të thellë”.

Ishte e qartë se në Kryesinë e Bosnjë-Hercegovinës nuk mbretëronte unanimitet, kur bëhet fjalë për aksionet e NATO-s. Anëtari serb i Kryesisë së Bosnjë-Hercegovinës dy herë ka kërkuar që në rend dite të vihet çështja e shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Bosnjë-Hercegovinës për sulme ajrore kundër Jugosllavisë. E kam pyetur se a ka dëshmi për atë se hapësira e Bosnjë-Hercegovinës shfrytëzohet për këto qëllime. Është përgjigjur se nuk ka dëshmi dhe se këtë pyetje ia ka shtruar komandantit të SFOR-it, gjeneralit Meigs. Atëherë unë kam deklaruar se nuk jam i gatshëm të debatoj për hipoteza, ndërsa NATO-ja ka të drejtë të patrullojë në qiellin mbi Bosnjë-Hercegovinë sipas rezolutës së KB-së mbi vendosjen e të ashtuquajturës no-flight zone (zona e ndalimit të fluturimit), që është efektive nga viti 1993. Se kjo është e domosdoshme, dëshmon rrëzimi pak kohë më parë i dy avionëve jugosllavë MIG, që kishin depërtuar në hapësirën ajrore të Bosnjës afër Tuzllës.

Bombardimi i Serbisë është ndërprerë më 10 qershor, meqë Millosheviqi kishte pranuar paraprakisht tërheqjen e Ushtrisë jugosllave nga Kosova”.

Parimësia morale dhe vlerësimi i saj

Me gjithë telashet që kishte me ndërtimin e shtetit modern të Bosnjë-Hercegovinës, me gjithë sprovat e vështirësitë nëpër të cilat kaloi, Alija Izetbegoviqi mbeti një politikan konsekuent ndaj parimeve të tij morale. Edhe pse i vetëdijshëm se nuk bënin punë para makinerisë ushtarake e pafytyrësisë diplomatike, asnjëherë nuk hoqi dorë nga parimet dhe e vërteta – gjithnjë e ngriti zërin kundër padrejtësisë. Alija Izetbegoviqi mbetet shembulli unik në Ballkan i perceptimit të pushtetit si përgjegjësi dhe jo si privilegj. Jeta e tij modeste e pa eskorta sejmenësh e ka dëshmuar këtë. Duke e kuptuar pushtetin si përgjegjësi edhe nuk e kishte të vështirë që, pothuajse në fillim të mandatit të fundit, në të cilin ishte zgjedhur me 80 për qind të votave, të jepte dorëheqjen. Nuk donte të vdiste duke qenë në krye të shtetit, sepse këtë gjë e çmonte si fat të diktatorëve, të cilët, duke shijuar ëmbëlsinë e pushtetit, vetëm vdekja i largon nga kolltuku.

Duke qenë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, duke i denoncuar sa herë që mundte agresorët e tyre, Alija Izetbegoviqi arriti ta fitonte simpatinë në të gjitha shtresat e kombit tonë. Vlerësimet për të janë të shumta dhe në proporcion me kontributin e tij dhënë lirisë së popujve të shtypur në Ballkan. Gjithsesi, unë do të zë ngoje vetëm disa nga vlerësimet e personaliteteve të botës sonë lidhur me krijuesin e Bosnjë-Hercegovinës moderne, pa i përfshirë këtu figurat politike të kohës te të cilat vlerësimi dhe kurtuazia politike shpeshherë bëjnë deklaratë të përbashkët. Kështu, publicisti dhe njohësi i mirë rrethanave politike e shoqërore në Ballkan, Veton Surroi, në një shkrim të tij do të shprehej për Alija Izetbegoviqin: “Prej fillimit të luftës e deri më sot, Izetbegoviqi përjetoi faktin që shteti i shpallur i Bosnjë-Hercegovinës, si i vetmi shtet i boshnjakëve, arriti të jetë faktori që ruan identitetin e tyre ekzistencial, pra edhe besimin si pjesë të këtij identiteti”. Një njohës gjithashtu shumë i mirë i rrethanave që i paraprinë luftës në Bosnjë-Hercegovinë, i zhvillimeve të luftës dhe të pasluftës, ish-politikani Azem Vllasi, në shkrimin “Një jetë plot luftëra, por që nuk shkoi kot”, botuar në gazetën “Koha ditore” të 23 tetorit të 2003-tës, e çmonte lart kontributin e farkuesit të pavarësisë Bosnjës: “Alija Izetbegoviqi do të zërë vend të ndritshëm si njeri me merita në historinë e popullit boshnjak dhe të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. I urtë, i qetë, modest, por me bindje të paluhatshme dhe veprim këmbëngulës për t’ia kthyer dinjitetin dhe vetëbesimin popullit boshnjak dhe shtetit boshnjako-hercegovas.” Pas këtij përshkrimi, Vllasi ndalet në mënyrë të veçantë edhe te vlerat morale të këtij njeriu të madh: “Në shtet pa pushtet, Izetbegoviqi vepronte si autoritet moral, sepse mbronte të drejtën për ekzistim e për liri të popullit dhe të shtetit të vet para një agresioni të egër serbo-çetnik”.

Liridashësi Alija Izetbegoviq, me luftën çlirimtare kundër okupatorit serb, u shndërrua në një model të mospranimit të gjendjes së robërisë edhe për shqiptarët e ish-Jugosllavisë. Duke e pasur shembullin e njeriut, i cili si udhëheqës i kishte prirë luftës në njërën anë dhe përpjekjeve diplomatike për pavarësinë e vendit në anën tjetër, në rrethana krejtësisht të pamundshme, djemtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin një argument më shumë për atë se luftën, rëndom, e fiton ai që në të e investon, krahas mendjes, edhe zemrën. Si Bosnja, ashtu edhe Kosova, megjithëse e mbijetuan luftën me plot plagë në trup e në shpirt, me qëndresën e tyre argumentuan ekzistencën; në të kundërtën, me pranimin e robërisë, do ta kishin nënshkruar zhbërjen e identitetit kombëtar e shtetëror dhe tretjen e pashmangshme në margjinat e historisë. Shkrimin tim do ta përmbyll me fjalët, po ashtu përmbyllëse e shumë domethënëse, sidomos për ne shqiptarët, për boshnjakët dhe për të gjithnjë popujt që dolën nga robëria, të cilat Alija Izetbegoviqi i theksoi në Kongresin e SDA-së e që përmblidhen në thënien: “I betohemi Zotit të lartëmadhëruar se robër s’do të jemi kurrë!”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lexo gjithashtu
Close
Back to top button