Alija dhe shqiptarët

Izetbegoviqin e deshën ata që e deshën të vërtetën, drejtësinë dhe lirinë; por atë e respektuan të gjithë, sepse, ndonëse europian, ishte mik i vërtetë i Lindjes, por edhe komentues bindës i Perëndimit. Ai i tregoi botës se me përpjekje të mëdha njeriu mund të jetë besimtar i mirë dhe njeri i dobishëm për vendin. Ai ishte i sinqertë, virtyt ky i njerëzve të mëdhenj, të cilët nuk i frikësohen as lirisë vetjake, as lirisë së huaj.

Shkruan: Nexhat IBRAHIMI, Prizren

Alija Izetbegoviqi (1925-2003) është pa dyshim njëri ndër intelektualët dhe politikanët më të popullarizuar dhe mjaft të frytshëm në Bosnjë e rajon, sidomos në dy dekadat e fundit të shekullit XX (1983-2003). Ai dallohet për shkrime në fushën e islamologjisë, të artit, kulturës, jurisprudencës; ai dallohet për analiza politike, por edhe për krijimin e vetë politikës. Alija ka fuqi të rrallë observuese e perceptuese, komunikon lehtë, qartë dhe thjesht. Izetbegoviqi, me një lehtësi mahnitëse, futet në sferat më të errëta dhe më të komplikuara të historisë së mendimit njerëzor. Ai posedon natyrë krijuese, nga e cila rrezaton heshtje dhe qetësi të brendshme, urti mirëkuptimi për njeriun dhe botën që e rrethon, si edhe guxim intelektual e politik për t’i emërtuar gjërat vetëm me emrin e tyre. Perspektiva, nga e cila Alija Izetbegoviqi i artikulon observimet e veta, reflekton intelektualin dhe politikanin që është larg ngasjeve për rrëmujë, larg orekseve për të qenë kudo dhe mbi këdo ose si e artikulon këtë ndryshe filozofi Henry Bernard Levy: “Njeriu i cili hyri në histori përkundër vullnetit të vet”.

Si e njeh opinioni shqiptar Alija Izetbegoviqin

Emri i Alija Izetbegoviqit në opinionin publik shqiptar ka filluar të bëhet i njohur në vitet e tetëdhjeta, kur shkrimet e tij me pseudonimin L.S.B. (L(ejla) – S(abina) – B(akir) (tre fëmijët e tij), filluan të botohen në periodikun në gjuhën shqipe në Kosovë e Maqedoni. Por, kjo njohje ishte nga distanca. Njihej vetëm si një autor anonim që në shkrimet e tij i artikulonte njëkohësisht edhe synimet dhe ambiciet e lexuesve. Edhe personalisht, gjatë viteve 1981-1983, e njihja nga distanca dhe tërthorazi, pjesërisht për arsye sepse natyra e punës së tij ishte të veprojë nga prapaskena e pjesërisht edhe për shkak të natyrës sime dhe hezitimit tim që t’i afrohem e ofrohem.
Alija Izetbegoviqin deri në vitin 1983 shqiptarët e kanë njohur individualisht, kryesisht nëpërmjet rrëfimeve të personave të ndryshëm. Pas vitit 1983, pas burgosjes dhe gjykimit spektakolar të grupit intelektual në Sarajevë, lider i së cilës ishte ai vetë, Alija doli në skenë pas tisit misterioz që e mbulonte personalitetin dhe aktivitetin e tij. Shtypi i dirigjuar monist jugosllav e paraqiti Alinë dhe shokët e tij në mënyrën më të keqe të mundshme, si tradhtar vendi, si element destruktiv i mirëqenies jugosllave, si kolaboracionist me armiqtë e Jugosllavisë etj. Opinioni shqiptar i ish-Jugosllavisë (nuk e kam fjalën për politikanët aktivë), mbase nga përvoja vetjake e hidhur, përkundër një rrebeshi të tmerrshëm mediatik kundër M/m/uslimanëve, megjithatë e kuptoi me kohë se Alija kishte të drejtë dhe nuk paraqiste ndonjë rrezik; shqiptarët kishin simpati ndaj tij dhe ndaj shokëve të tij, edhe pse kjo nuk manifestohej publikisht për shkak të frikës nga represioni policor dhe pasojat e mundshme.
Por, kjo simpati te shqiptarët do të rritet edhe më shumë kur më 1988 u përkthye dhe u botua në gjuhën shqipe libri i tij Deklarata islame, për të cilin libër ai edhe qe gjykuar me 14 vjet. Ky libër, për t’iu shmangur syrit të policisë, në gjuhën shqipe u titullua Islami sot dhe nesër dhe vetëm si nëntitull e vendosëm Deklarata islame. Më pas vazhdoi edhe përkthimi i veprave të tjera, si: Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, botimi i Prizrenit, pastaj Problemet e rilindjes islame dhe përkthimi i artikujve të tjerë.
Zhvillimi i proceseve demokratike edhe në Shqipëri dhe rënia e enverizmit së shpejti do ta bëjnë Alinë të njohur edhe në Shqipëri. Fama për të do të rritet edhe si politikan, sidomos kur Alija u zgjodh kryetar i Bosnjës dhe Hercegovinës. Në veçanti, emri i tij do të dëgjohet pas vitit 1992, si lider i rezistencës muslimane kundër luftës gjenocidale serbo-kroate mbi Bosnjën dhe kundër heshtjes hipokrite perëndimore.

Opinioni i Alija Izetbegoviqit për shqiptarët, Kosovën…

Kontaktet e Alija Izetbegoviqit me shqiptarët janë të hershme, besoj qysh gjatë rinisë së tij. Alija u rrit në Sarajevë, kurse në Sarajevë dhe, në përgjithësi, në Bosnjë, deri në luftën e fundit, ka pasur shumë shqiptarë, ndoshta mbi 100 mijë. Por, nëse takimet e para të Alisë me shqiptarët kanë qenë kryesisht me ëmbëltorxhinj e byrekxhinj, të dhënat flasin se takimet e mëvonshme kanë qenë me intelektualë, studentë etj. Ai e përmend vetëm kalimthi këtë problem, sigurisht për shkak të përvojës jo fort të këndshme që kishte pasur me individë të caktuar në Burgun e Foçës.
Alija i përshkruan disa përshtypje nga kontaktet e tilla edhe në librin Kujtime: “Në Burgun e Foçës kishte shumë shqiptarë të dënuar për pjesëmarrje në lëvizjen e rezistencës kundër regjimit serb që e kishte suprimuar autonominë e Kosovës. Ishim shokë të mirë me shqiptarët, por nuk jemi përzier shumë. Ata shëtitshin në pjesën e mesme, ndërsa ne në pjesën e skajshme të oborrit të burgut. Këtë rregull të pashkruar të regjimit të burgut e respektonin të gjithë të burgosurit dhe policia. Shqiptarët ishin të qetë, konspirativë, tepër seriozë. Kohë pas kohe bënin eksese dhe greva. Kërkonin të lexonin literaturë marksiste, që marksistët e tjerë, shefat e burgut, nuk e lejonin. Drejtoria e kishte punësuar një polic shqiptar, i cili, mes tjerash, luante rolin e censorit të literaturës “irredentiste”.
Më pas Alija rrëfen bisedën që një grup boshnjakësh, të kryesuar nga ai vetë, kishte zhvi-lluar m një ‘delegacion’ shqiptarësh në burgun e Foçës: “Në pyetjen e tyre se ç’mendojmë ne boshnjakët për lëvizjen e tyre, u përgjigja: ‘Shqiptarët janë popull musliman dhe kjo është arsyeja kryesore që ne e përkrahim luftën tuaj për liri’. Ata u shqetësuan pak. Udhëheqësi i “delegacionit” të tyre ma ktheu se në përgjigjen time ‘ka disa qëndrime të gabuara’, sepse – sipas mendimit të tij – religjioni ka luajtur rol negativ në historinë e popullit shqiptar dhe u ka shërbyer okupatorëve. ‘Religjioni është tejkaluar dhe nuk i nevojitet popullit tonë në luftën e tij për liri’ – përfundoi “shoku”. ‘Atëherë ju jeni populli i vetëm në planet që mund të jetojë pa religjion’ – u përgjigja, ‘por përshtypja jonë është se shumica e popullit shqiptar nuk e ka këtë mendim. Delegacioni shqiptar tha se ‘Vetëm marksizmi dhe leninizmi i ka sjellë përparim popullit tonë’, kurse ne u përgjigjëm: ‘Mirë pra, ju shkoni rrugës suaj, kjo është puna juaj, e sa na përket neve, ne edhe më tutje do t’i përkrahim kërkesat e drejta të popullit shqiptar për barazi dhe liri’. Biseda përfundoi, por ne edhe më tutje mbetëm miq të mirë.”

Për këtë fakt dhe për këto kontakte më kanë folur edhe vetë Alija dhe Omer Behmeni, secili nga këndi i tij, në vitet e ‘90-ta, gjatë një takimi në Sarajevë në objektin e Medresesë së Gazi Husrev-beut. Është interesant se për këtë takim shqiptaro-boshnjak ma ka folur edhe i ndjeri Xhavit Haziri (i vrarë nga serbët në maj të vitit 1999), gjatë muajit qershor-gusht 1998 në Burgun e Dubravës, njëri ndër biseduesit nga pala shqiptare me boshnjakët në Burgun e Foçës. Por, Xhaviti tashmë kishte ndërruar mendjen për religjionin, madje ishte, për herë të parë, edhe njëri ndër agjëruesit në Burgun e Dubravës. Këtë e them me plot siguri, sepse muajt e fundit të vitit 1998 kam biseduar me te ndjerin Xhavit me dhjetëra herë.
Se Alija nuk e ndërroi bindjen për shqiptarët dhe se i mendonte ata si aleatë natyrorë në Ballkan, dëshmon edhe fakti se ai nuk i shkëputi lidhjet me shqiptarët edhe pas daljes nga burgu. Përkundrazi, ai do të komunikonte intensivisht me shumë shqiptarë: Ismail Bardhin nga Shkupi, Kenan Mazllamin nga Tetova, me mua personalisht, madje edhe me të tjerë. Marr guximin ta shpalos faktin se Alija nuk bënte asnjë udhëtim nëpër qendra rajonale a botërore e të mos pyeste për informacione të freskëta për gjendjen fetare, politike, ekonomike dhe kulturore në Kosovë e më gjerë.
Edhe pse e theksova më herët, po e ripërsëris: Alija nuk kishte mendim të favorshëm për shqiptarët që vuanin në burgjet jugosllave, pikërisht për shkak të ideologjisë së tyre ateiste, nacionaliste (enveriste), por kjo nuk e bëri të ndërrojë mendje për shqiptarët, Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare. Madje, i konsideronte aleatë të rrethit kulturor historik musliman. Jo vetëm në biseda private, por edhe nëpër shkrime, çështjen e Kosovës e ka theksuar shumë herë. Takimet e mia me Alinë kanë qenë të shumta, në Sarajevë disa herë, në Tetovë, në Novi Pazar, Sjenicë dhe dhjetëra herë me telefon.
Në librin Kujtimet, duke e përshkruar gjendjen politike në Jugosllavi, për Kosovën thotë: “Gjendja vazhdon të përkeqësohet, sidomos pas vdekjes së Titos më 1980. Në Kosovë kriza pati filluar. Thuajse çdo ditë u gjykohej shqiptarëve. Kritikat dhe zërat nga Perëndimi ishin të papërfillshme. Perëndimi qe përshtatur me politikën e këtillë të komunistëve. Me rëndësi është që Jugosllavia të qëndrojë sa më larg Rusisë.” (Kujtime).
Madje, çështja e Kosovës ishte ndër pikat programore të Partisë. Në pikën VIII të programit thuhet: “Qëndrimi – interesi ynë tjetër ka të bëjë me krahinën e Kosovës. Konsiderojmë se bëhet fjalë për konflikt ndërnacional, i cili nuk mund të zgjidhet me represion. Rrugëdaljen e vetme e shohim përmes dialogut, ndërsa dialog të suksesshëm mund të zhvillojnë vetëm përfaqësuesit e vërtetë të popullit. Për këtë arsye kërkojmë demokraci për popullin shqiptar. Mbështesim dhe besojmë në opsionin jugosllav për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të bindur se akoma ka shqiptarë me ndikim të cilët ndajnë me ne bindje të ngjashme. Në këtë frymë, si bazë për zgjidhje përkrahim deklaratën “Për demokraci – kundër dhunës”, që në janar 1990 bashkërisht e kanë redaktuar dhe botuar Këshilli Krahinor për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Njerëzore, Shoqata e Filozofëve dhe Sociologëve të Kosovës dhe filiali i Bashkimit për Iniciativë Demokratike Jugosllave (UJDI).” (Kujtime).
Në mbrojtje të Kosovës ishte edhe kur e përshkruan gjendjen në Kosovë në vitin 1988: “Në Kosovë kishte marrë zjarr e a.q. “irredenta” (shprehje serbe për lëvizjen shqiptare për pavarësinë e Kosovës). Atje qysh më 1988 qe futur gjendja e jashtëzakonshme për shkak të rebelimit të shqiptarëve në këtë krahinë të dikurshme autonome të federatës jugosllave. Forcat nacionaliste serbe kërkonin revidimin e Kushtetutës së RSFJ-së nga viti 1974, me të cilën të dy krahinat, Kosova dhe Vojvodina, patën marrë shkallë të lartë të autonomisë. Djelmoshat nga Kosova, “irredentistët”, janë gjykuar me dënime të mëdha dhe proceset radhiteshin nga java në javë. Disa nga të gjykuarit i kam njohur në burgun e Foçës”. (Kujtime).
Për shembull, në një tubim elektoral në Velika Klladushë në Bosnjë, më 15.09.1990, ndër prioritetet e politikës së partisë së tij ishte edhe “zgjidhja demokratike për problemin e Kosovës, pa dhunë”. (Robër nuk do të bëhemi).
Po ashtu, në Kuvendin e BeH më 14.10.1991 ai thekson: “Unë konsideroj se demokracia është pushteti i shumicës. Për mua demokracia është kur pakica i ka të gjitha të drejtat. Sepse, demokracia në Jugosllavi do të duhej të matej jo si kalojnë në të popujt e mëdhenj, por si kalojnë pakicat… Pyetja është se si është për shqiptarët atje e jo si janë serbët”. (Robër nuk do të bëhemi).
Në një letër dërguar kryesuesit të Asamblesë së Këshillit të Sigurimit të KB, Nugroho Wisnumurtit, duke gjykuar kolonizimin serb që po ndodhte në dëm të popujve të vegjël, ndër të tjera i shkruan: “Pushteti i të a.q. Jugosllavi masovikisht i shpërngul refugjatët serbë nga Kroacia në Sanxhak, Kosovë dhe Vojvodinë, në viset ku me shumicë jeton popullsi joserbe”. (Në kufij të botëve).
Në vitet e vona, më 1 mars 1999, kur lufta në Kosovë ishte në hovin më të madh, në ndërtesën e Kryesisë së BeH, me rastin e Ditës së Pavarësisë, Alija dha këtë ekspoze: “Asnjëherë paqe në Ballkan! Kësaj here regjimi i Beogradit ka vendosur për “zgjidhje për-fundimtare” të çështjes së Kosovës. Nga dita në ditë e intensifikon pastrimin etnik të shqi-ptarëve në Kosovë. Me fshesë të hekurt pastron gjithçka para vetes. Më shumë se një milion njerëz, gra dhe fëmijë, kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe janë nisur në drejtim të Ma-qedonisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi. Gati njëzet mijë kanë ardhur në Bosnjë. Si përgjigje ndaj kësaj, me 23 mars NATO-ja ka ndërmarrë sulme ajrore kundër caqeve në Jugosllavi. Janë shpërndarë lajme për vrasje masive të civilëve shqiptarë, mirëpo edhe për hamendjet e disa aleatëve perëndimorë për vazhdimin e fushatës. Me shtatë prill i dërgova një porosi Organizatës së Konferencës Islame, e cila ato ditë mbante mbledhje në Gjenevë:
“Duke shprehur respektin tim të sinqertë dhe mirënjohjen time përfaqësuesve të pranishëm anëtarë të Organizatës së Konferencës Islame (OKI/OIC), në veçanti anëtarëve të Grupit të Kontaktit, dëshiroj t’i lus anëtarët e OKI për ndihmë urgjente ndaj popullit të Kosovës, i cili përjeton ditë shumë të vështira.
E para, propozoj që OKI të përkrahë pa rezervë aksionin e forcave të NATO-s që është në zhvillim e sipër. Gati një milion shqiptarë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre. Fatkeqësia është duke u shndërruar në një nga katastrofat më të mëdha njerëzore pas Luftës së Dytë Botërore. Ky dëbim i paparë i popullsisë civile mund të dënohet ose mos të dënohet, mirëpo ajo që është më me rëndësi, mund të jetë me shpresë për kthimin e tyre apo pa këtë shpresë. Nëse ndërpritet aksioni i NATO-s, krimi do të ngelë i pandëshkuar, ndërsa popullsia e dëbuar kurrë më nuk do të kthehet në fshatrat dhe qytetet e tyre,
E dyta, lus anëtarët e OKI-s që pa hamendje t’u japin çdo lloj ndihme refugjatëve nga Kosova, sidomos në tenda, ushqim, veshmbathje dhe medikamente dhe për këtë qëllim të formojnë komitet për koordinimin e ndihmës. Falënderoj Arabinë Saudite dhe Turqinë, të cilat në dhënien e ndihmave popullit të Kosovës tanimë kanë dhënë shembullin e duhur.
E treta, gjithashtu, ju lus që në dokumentin të cilin ky tubim i lartë do ta sjellë, të dërgoni fjalë inkurajuese dhe solidariteti me pakicën nacionale boshnjake në Sanxhak.
Duke shprehur dëshirën për punime të suksesshme të OKI, ju dërgoj selame vëllazërore dhe shprehjen e respektit tim më të thellë”. (Kujtime).
Ndoshta këto citate e ilustrojnë më së miri disponimin, por edhe angazhimin e Alisë për Kosovën dhe shqiptarët, ndaj edhe i kurseva komentet e mia, që të flasim vetë fjalët e tij.

Përmbyllje

Izetbegoviqin e deshën ata që e deshën të vërtetën, drejtësinë dhe lirinë; por atë e respektuan të gjithë, sepse, ndonëse europian, ishte mik i vërtetë i Lindjes, por edhe komentues bindës i Perëndimit. Ai i tregoi botës se me përpjekje të mëdha njeriu mund të jetë besimtar i mirë dhe njeri i dobishëm për vendin. Ai ishte i sinqertë, virtyt ky i njerëzve të mëdhenj, të cilët nuk i frikësohen as lirisë vetjake, as lirisë së huaj.
Izetbegoviqi ishte thellësisht i bindur se një herë vdiset, por dy herë jetohet: një herë në të vërtetën hyjnore dhe herën e dytë në fatin e njeriut. Vdekja, sipas tij, edhe nuk ekziston, sikur që në amshueshmëri nuk ka fund dhe sikur që në dritë nuk ka errësirë.
Ai e dinte mirë nga kishte ardhur dhe me besim të madh ishte përgatitur për atje ku do të shkonte – para Krijuesit të qiejve dhe të tokës: “O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Krijuesi yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty! Bashkohu me robërit e Mi dhe hyr në Xhenetin Tim!” (El-Fexhr /89/, 27-30).
Po e përmbylli këtë tekst Natën e Kadrit të Ramazanit me dëshirën që Alija të lexohet, të mësohet dhe përdoret për nevojat tona politike, diplomatike, filozofike, kulturore dhe, mbi të gjitha, humane.

Prizren, 26 Ramadan 1434/ 03. 08. 2013

* Ky tekst është shkëputje me shkurtime nga hyrja e kompletit të Alija Izetbegoviqit, e botuar në gjuhën shqipe nga SHB “Logos-A” më 2013

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button