Albin Kurti: Ndihma humanitare e Kosovës për Gazën është nisur nga Turqia

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihmën humanitare të Qeverisë së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës, është nisur nga porti i Mersinit në Turqi.
“Sapo morëm njoftimin se anija e ngarkuar me ndihmën humanitare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës, është nisur nga porti i Mersinit në Turqi,” njoftoi Kurti.
Sipas tij, dërgesa humanitare ka vlerë prej 500 mijë euro dhe përfshin tenda, pako ushqimore, batanije, si dhe 158 mijë racione ushqimi të ngrohtë për banorët në nevojë në Gaza.
Kryeministri sqaroi se, ndonëse vendimi për këtë ndihmë ishte marrë që në muajin janar, realizimi i saj u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes. “Edhe pse Qeveria e Republikës së Kosovës e ka marrë këtë vendim që në janar, realizimi i tij u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes, të arritur nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump,” theksoi ai.
Kurti vlerësoi se kjo ndihmë përfaqëson angazhimin e Kosovës në kuadër të solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin për mbështetjen e popullsisë civile që po përballet me vështirësi të mëdha në Gaza. “Na gëzon fakti që jemi qeveria e parë e Republikës së Kosovës që arrijmë të ofrojmë një mbështetje të tillë për banorët e Gazës,” tha ai, duke shtuar se shpreson që ndihma të kontribuojë, qoftë edhe në mënyrë modeste, në lehtësimin e vuajtjeve dhe në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet.
Në fund, kryeministri shprehu mirënjohje të veçantë për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke për bashkëpunimin dhe ndihmën në realizimin e këtij operacioni humanitar.



