Alarme të rrejshme për bomba paralizojnë shkollat, mësimi nuk u zhvillua në asnjë shkollë të Tetovës

Edhe sot, korridoret e Gjimnazit “Kiril Pejçinoviç” mbetën bosh. Nxënësit nuk hynë në klasë, dhe mësimi nuk u zhvillua, edhe pse ishte ditë e hënë.
Shkak është një person me një adresë elektronike fiktive, i cili vazhdon të dërgojë alarme të rrejshme për bombë. Autoritetet ende nuk kanë mundur ta zbulojnë se kush qëndron pas këtyre mesazheve dhe çfarë qëllimi ka.

Drejtori i shkollës, Jeton Kamberi, thotë se përveç shqetësimit për nxënësit, këto alarmime po ua humbin shumë ditë mësimi.
“Tek ne është rekordi, është e 12 herë, për ndikim ka qenë e frikshme edhe për nxënësit, ndaj kolegëve për panikun, por tash tek shkolla kjo është bërë rutinë dhe nxënësit janë mësuar. Fillimisht kemi llogaritur aspektin negativ pasi që si të rinj ka qenë edhe dëshirë largimi, tash që ka filluar edhe tek ta monotonia dhe edhe ata kërkojnë që të mos të dilet, por kjo nuk mund të ndodhë pasi që vjen policia na informon se nxënësit duhet të dalin dhe të tërhiqen”, tha Jeton Kamberi – Drejtor i Gjimnazit.

Alarmi i rrejshëm për bombë ka prekur edhe 10 shkolla në Tetovë – katër të mesme dhe gjashtë fillore – duke bërë që mësimi të mos zhvillohet në asnjë nga shkollat e qytetit. Ndërkohë, sektori për arsim në Tetovë po kërkon përgjegjësi nga organet kompetente për dërgimin e këtyre alarmeve dhe për sigurinë e nxënësve.
Sektori për Arsim Tetovë:

“Shkollat kanë dërguar shkresë zyrtare deri te SPB me qëllim marrjen e informacionit zyrtar për situatën dhe udhëzimet për veprimet e mëtejshme. Institucionet kompetente po ndërmarrin masa të vazhdueshme për garantimin e sigurisë së nxënësve dhe stafit, ndërsa situata monitorohet në koordinim të plotë me organet e rendit.”

Paralajmërime për bomba ka pasur edhe në disa shkolla të Shkupit. /TV21

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button