Alarm për lajme të rreme: “Islamistët” fajësohen padrejtësisht për fishekzjarrët në Australi

Përdorues të rrjeteve sociale në Australi akuzuan “islamistët” se po festonin sulmin masiv në Bondi Beach, në një periferi të Sydneyt, duke shpërndarë një video me fishekzjarrë, të cilat zyrtarët thanë se në fakt ishin pjesë e festimeve të Krishtlindjes.

Pamjet janë pjesë e disa valësh dezinformimi që u shfaqën online pas sulmit të së dielës në plazhin më të famshëm të Australisë për surf, të cilin autoritetet e kanë cilësuar si një sulm terrorist antisemit ndaj një feste hebraike.

Sipas autoriteteve, sulmuesit kishin në shënjestër një festë vjetore që kishte mbledhur më shumë se 1.000 persona në plazh për të shënuar festën hebraike të Hanukës, duke vrarë 15 persona dhe plagosur 42 të tjerë.

Pretendime provokuese fitojnë terren

Një video që tregonte fishekzjarrë duke shpërthyer në qiellin e natës nisi të qarkullojë shpejt dhe, deri të hënën në mëngjes, ishte përhapur edhe në Indi, Britani dhe ShBA.

“(Njerëzit) që kemi lejuar të hyjnë në vendin tonë tani po hedhin fishekzjarrë në Bankstown, duke festuar masakrën e qytetarëve tanë hebrenj në Bondi”, shkroi një përdorues me bazë në Australi, duke iu referuar një periferie në jugperëndim të Sydneyt.

Duke përdorur gjuhë çnjerëzore në një postim në X, i cili u rishpërnda mbi 750 herë, përdoruesi pyeste gjithashtu: “Pse Policia nuk po i arreston (ata)?”

Të tjerë në Facebook pretenduan se videoja tregonte “islamistë që po hedhin fishekzjarrë në Sydney për të festuar sulmin terrorist kundër festës së Hanukës në Bondi Beach”.

Grupi lokal i hedh poshtë akuzat

Megjithatë, ndonëse të dielën në mbrëmje kishte vërtet fishekzjarrë në zonën Canterbury-Bankstown, emri i rajonit që përfshin disa periferi, një organizatë lokale komunitare tha se shfaqja ishte për festimet e Krishtlindjes.

“Fishekzjarrët ishin pjesë e aktivitetit tonë vjetor të Këngëve të Krishtlindjes. Ky event dhe shfaqja e fishekzjarrëve ishin planifikuar muaj më parë”, tha Rotary Club of Padstow, një periferi pranë Bankstounit.

“Ato nuk kishin asnjë lidhje me sulmin terrorist në Bondi9,  shtoi klubi, duke theksuar se kjo shfaqje shumëngjyrëshe zhvillohet çdo vit.

Periferia jugperëndimore e Bankstounit është një nga zonat më të larmishme kulturalisht në Sydney, me faqen e saj zyrtare që thekson se aty jetojnë banorë nga më shumë se 120 kombësi, megjithëse kohët e fundit është gjithnjë e më shumë në shënjestër të retorikës kundër emigracionit.

Megjithatë, postimet që shpërndanin pamjet u kundërshtuan edhe nga persona brenda vetë komunitetit, të cilët konfirmuan se bëhej fjalë për një aktivitet lokal me këngë Krishtlindjeje.

“Shpërndarja me qëllim e dezinformatave për të nxitur urrejtje është e neveritshme. Duhet të turpërohesh”, shkroi një përdorues në X nga periferia fqinje Belmore.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button