Akuzohet për shkelje financiare në kompanitë e tij, kryeministri i Lituanisë jep dorëheqjen

Kryeministri lituanez Gindautas Paluckas njoftoi dorëheqjen e tij të hënën, ndërsa është duke u zhvilluar një hetim mbi shkelje të mundshme financiare që përfshijnë kompanitë e tij.
“E informova presidentin rreth një orë më parë se kam marrë vendimin për të dhënë dorëheqjen si kryeministër”, tha Paluckas në një deklaratë. Ai shtoi se po jepte dorëheqjen edhe si kreu i Partisë Social Demokratike.
“Pavarësisht vendimit tim për të dhënë dorëheqjen nga detyrat e mia aktuale, unë do të vazhdoj të mbroj nderin dhe dinjitetin tim dhe do të pres rezultatet e hetimeve, të cilat jam i sigurt se do të dallojnë faktet nga aludimet”, tha ai.
Më herët sot, media lokale raportoi se Shërbimi i Hetimit të Krimeve Financiare të Lituanisë (FNTT) kishte kontrolluar zyrat e Dankora, një kompani në pronësi të kunatës së Paluckas. Kompania përdori paratë e Bashkimit Evropian për të blerë sisteme baterish nga Garnis, një kompani pjesërisht në pronësi të Paluckas.
Gazetarët investigativë në Lituani zbuluan në maj se Garnis kishte marrë një kredi shtetërore të subvencionuar ndërsa Paluckas ishte tashmë kryeministër. Autoritetet e vendit më pas nisën një hetim, i cili është duke vazhduar.
Gintautas Paluckas ishte dënuar tashmë për abuzim me pushtetin kur ishte kreu i administratës komunale të Vilniusit. Ai u dënua me gjobë.