Aktivisti autokton amerikan Leonard Peltier lirohet nga burgu në SHBA

Aktivisti autokton amerikan Leonard Peltier ka lënë një burg në Florida pas gati pesë dekadash pas hekurave, pas një faljeje nga ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Të martën në mëngjes, Peltier doli nga një qendër federale paraburgimi në Coleman, Florida, dhe u largua me një SUV. Ai nuk foli ndërsa dilte nga burgu.
Peltier, 80 vjeç, ishte bërë një simbol global për të drejtat e popujve indigjenë pas dënimit të tij për vrasje në vitin 1977, me organizata si Amnesty International dhe mbështetës si aktori Robert Redford që kërkonin lirimin e tij.
Anëtar i fisit Turtle Mountain Band të çipeveve, Peltier ka këmbëngulur gjithmonë në pafajësinë e tij, dhe mbështetësit e tij argumentojnë se gjyqi i tij ishte i manipuluar.
“Sot jam më në fund i lirë! Mund të më kenë burgosur, por kurrë nuk më morën shpirtin!” tha Peltier në një deklaratë të publikuar nga NDN Collective, një grup aktivistësh. “Pres me padurim të takoj miqtë, familjen dhe komunitetin tim. Sot është një ditë e mirë.”
Ai do të kthehet në Rezervatin Turtle Mountain në Belcourt, Dakota e Veriut, ku të mërkurën është planifikuar një festë për mirëseardhjen e tij.
“Jemi shumë të emocionuar për këtë moment,” tha Jenipher Jones, një nga avokatet e Peltier, për Associated Press. “Ai është me moral të lartë. Ka shpirtin e një luftëtari.”
Peltier u dënua për vrasjen e dy agjentëve të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) në vitin 1975 në Rezervatin Indian Pine Ridge në Dakota e Jugut.
Agjentët e FBI-së, Jack Coler dhe Ronald Williams, kishin shkuar në rezervat për të dorëzuar një urdhër arresti.
Por, sapo arritën në fermën Jumping Bull, ata u përfshinë në një përplasje me armë me anëtarët e Lëvizjes Indiane Amerikane (AIM), duke përfshirë edhe Peltierin. Në shkëmbimin e zjarrit morën pjesë deri në 30 persona. /Al Jazeera/