Aktivistët në “Autokolonën e Rezistencës së Magrebit” thirrje për ndërprerjen e bllokadës në Gaza

Aktivistët që udhëtojnë në “Autokolonën e Rezistencës së Magrebit” që shkon në Gaza bënë thirrje të martën për t’i dhënë fund menjëherë bllokadës së enklavës nga Izraeli, duke i nxitur qeveritë arabe të flasin kundër gjenocidit izraelit kundër palestinezëve, raporton Anadolu.
Nisma e përbërë nga rreth 2.000 aktivistë nga Algjeria, Tunizia, Maroku, Mauritania dhe Libia është pjesë e një fushate më të madhe ndërkombëtare për të ofruar ndihmë humanitare në Gaza dhe për të rritur presionin mbi Izraelin për të hequr bllokadën.
Autokolona u nis nga kryeqyteti i Tunizisë të hënën, duke filluar një udhëtim tokësor drejt Rripit të Gazës për të thyer rrethimin e territorit palestinez nga Izraeli dhe mbërriti në Libi të martën. Kjo autokolonë do të kalojë natën në qytetin libian në Zawiya dhe pritet të vazhdojë në lindje drejt Misratës përpara se të niset drejt Egjiptit.
“Kjo iniciativë u nis në koordinim me grupe të tjera në të gjithë botën që punojnë për të thyer bllokadën në Gaza nga deti, ajri dhe toka”, tha për Anadolu, Haifa Mansura, një aktiviste tuniziane dhe një nga organizatoret e nismës.
Autokolona përfshin rreth 120 automjete dhe 12 autobusë. Aktivistë të tjerë nga gati 50 vende pritet të bashkohen në Kajro, duke mbërritur me avion për të mbështetur fushatën.
Ahmed Abdulgani, një organizator libian, tha se kjo nismë synon të shpërndajë ndihma financiare të mbledhura në Libi për palestinezët në Gaza.
“Kemi qenë dëshmitarë të dy viteve të krimeve më të tmerrshme në histori. Asnjë musliman apo edhe jomusliman nuk mund të mbetet indiferent ndaj kësaj”, tha Abdulgani.
Nabil Channoufi, një nga zëdhënësit e nismës tha se mbetet e paqartë nëse autokolona do të lejohet të hyjë në Egjipt.
Ai tha se grupi u takua me ambasadorin egjiptian në Tunizi, por nuk mori asnjë përgjigje përfundimtare.