Aktakuzë për krime lufte ndaj një serbi, dyshohet për torturë të rreth 500 qytetarëve
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër një personi, pasi i njëjti dyshohet për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas aktakuzës, i pandehuri S.L veprën penale e ka kryer gjatë viteve 1998-1999 në fshatin Panorc të Komunës së Malishevës.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit S.L., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së”.
Sipas aktakuzës, veprimet penale janë kryer gjatë periudhës 1998-1999 në fshatin Panorc, Komuna Malishevë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Tutje bëhet e ditur se S.L bashkë me pjesëtarë tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe ka bërë tortura fizike dhe psikologjike ndaj rreth 500 qytetarëve që s’kanë qenë të përfshirë në luftë, shkatërrim të pronave e plaçkitje, e gjithashtu edhe arrestime të kundërligjshme.
“I pandehuri, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtar të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke kryer arrestime të kundërligjshme, tortura fizike dhe psikologjike të rreth 500 qytetarëve që nuk ishin të përfshirë në luftë, dëbime masive të popullatës shqiptare, shkatërrim të pronave dhe plaçkitje.
I pandehuri gjendet nën masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të gjykatës. Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.