Aktakuzë për ish-drejtorin e Shutkës dhe shtatë policë të burgut

Prokurori publik nga Departamenti i Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të Kryera nga Persona me Autorizime Policore dhe Pjesëtarë të Policisë së Burgjeve ka ngritur propozim aktakuzë kundër tetë personave të punësuar në Burgun e Shkupit, transmeton Portalb.mk.
Bazuar në provat e mbledhura, i pandehuri i parë, si drejtor i institucionit, dhe dy oficerë policie si bashkëkryerës, kanë kryer veprën penale të vazhdueshme të “keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”.
Njëri prej tyre, një oficer policie, kreu edhe veprën penale të “pakujdesisë në detyrë”, për të cilën akuzohen edhe pesë oficerët e tjerë të policisë.
Të dyshuarit, në periudhën mars deri në korrik 2024, gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre, kanë kryer me dashje disa veprime, me ç’rast u kanë siguruar pesë të dënuarve përfitime që, sipas vendimeve gjyqësore, nuk u takojnë.
Ata lejuan që të dënuarit të çoheshin në shtëpitë e tyre dhe në vende të tjera për nevoja private, gjë që është në kundërshtim me procedurën për nxjerrjen e personave të privuar nga liria jashtë institucionit.
Procedura u hap në shkurt të këtij viti kundër dhjetë personave, dy prej të cilëve u tërhoqën për shkak të mungesës së provave.
Pastaj u njoftua se pesë të dënuar nga burgu në Shuto Orizare u liruan përkohësisht në mënyrë të paligjshme.