Aksident në autokolonën e J.D Vance në SHBA, një oficer policie në gjendje kritike

Një aksident rrugor ndodhi në autokolonën e zëvendëspresidentit amerikan JD Vance në Tenesi, ku një oficer policie u plagos rëndë.
Motoçikleta e drejtuar nga polici i sigurisë Justin Brown, pjesë e ekipit që shoqëronte numrin 2 të qeverisë amerikane, u përplas me një automjet SUV të Policisë Rrugore të Tenesit, duke e lënë atë në gjendje kritike.
Brown, i cili ndodhej në grupin e mbrojtjes së Vance gjatë vizitës së tij në Tenesi, iu nënshtrua një operacioni kirurgjik pas lëndimeve të rënda të pësura në aksidentin në rrugën e Maryville-s, më 14 nëntor mbrëma (orë lokale).
Sipas një njoftimi për shtyp të Departamentit të Policisë së Maryville-s, oficeri u plagos seriozisht kur motoçikleta e tij u ndesh me një SUV policie.
Kalimtarët arritën të parët në vendngjarje dhe i dhanë ndihmën e parë të menjëhershme Justin Brown-it, derisa ai u transportua nga American Medical Response në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Tenesit.
“Për ata që me reagimin e tyre të shpejtë shpëtuan jetën e FTO Brown mbrëmë, nuk do të mund t’ju falenderonim kurrë mjaftueshëm. Ju jeni heronj të vërtetë”, deklaroi shefi i policisë Tony Jay Crisp.
Sipas burimeve, deri tani, polici vazhdon të jetë në gjendje kritike në spital, pas operacionit të kryer më 15 nëntor. JD Vance, i cili ende nuk ka komentuar publikisht aksidentin, në një intervistë para incidentit në emisionin “Hannity” të Fox News, duke u përgjigjur pyetjeve për ambiciet e tij presidenciale, pranoi se do të shqyrtojë kandidimin për kryetar të SHBA-së pas zgjedhjeve të mesmandatit të 2026-ës.



