Akoma nuk ka formularë për pasaporta të reja, konfirmon ministri i Brendshëm Toshkovski

Tri ditë para skadimit të afatit që rezulton nga Marrëveshja e Prespës, pika policore “Prolet” për nxjerrjen e dokumenteve personale funksionon me oraret e rregullta dhe nuk ka radhë të gjata siç ishte praktika ditëve të fundit, por turma është zhvendosur në linjat telefonike dhe sportelet për marrjen e dokumenteve të gatshme, raporton Tv24.
Disa nga qytetarët thonë se pavarësisht procedurës së ndryshuar, procesi po zhvillohet ngadalë. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, njofton se nga java e ardhshme rreth 2000 qytetarë do të mund të fotografohen. Për problemin me formularët thotë se është i trashëguar nga më parë.
“Një nga problemet kryesore që duhet të zgjidhet në periudhën e ardhshme është prodhimi i pasaportave. Problemi më i madh me të cilin po ballafaqohemi tani është numri i formularëve që kemi brenda ministrisë dhe numri i formularëve që më parë janë porositur sipas planeve të këqija dhe vlerësimeve të këqija nga më parë, prandaj jemi në një situatë të tillë. Pakënaqësia më e madhe është krijuar në drejtim sepse njerëzit presin shumë kohë që të prodhohet pasaporta. Për momentin nuk është faji i njerëzve që tani e udhëheqin atë proces, por është i trashëguar nga më parë”, tha Toshkovski.
Në pikën “Prolet”, qytetarët që ndodhen në territorin e Shkupit dhe fillimisht kanë marrë termin nga muaji maj, tashmë kanë marrë informacion nga shërbimet për plotësimin e obligimit për ndërrimin e dokumenteve personale.



