“Ahmed, ti je një hero australian”: Kryeministri Anthony Albanese viziton burrin që çarmatosi sulmuesin e Sidneit

Kryeministri australian Anthony Albanese u takua me Ahmed al Ahmed, “heroin australian” i cili ndaloi dhe çarmatosi një nga personat e armatosur.

Në konferencën për shtyp më parë, ai tha se “e falënderoi atë për jetët që ndihmoi të shpëtoheshin”.

Ai publikoi një video në X të takimit, në të cilën e vlerësoi Ahmedin dhe i shtrëngoi dorën.
“Ahmed, ti je një hero australian. E vure veten në rrezik për të shpëtuar të tjerët, duke vrapuar drejt rrezikut në plazhin Bondi dhe duke çarmatosur një terrorist. Në kohët më të këqija, ne shohim më të mirën e australianëve. Dhe kjo është pikërisht ajo që pamë të dielën në mbrëmje. Në emër të çdo australiani, të them faleminderit”, ka shkruar Albanese, përcjell Telegrafi.

Pas aktit të tij të guximshëm, mbi 1 milion dollarë janë mbledhur për Ahmedin, i cili u plagos gjatë përleshjes me të dyshuarin.

Pamjet filmike treguan momentin kur Ahmed iu afrua autorit të sulmit dhe arriti t’i marrë armën pas një përleshjeje.
Ahmed al Ahmed, 43 vjeç, është baba i dy fëmijëve dhe drejton biznese të vogla në Sidnei.

Kujtojmë se një baba dhe biri i tij janë identifikuar si të dyshuarit për sulmin terrorist ndaj një eventi hebraik në plazhin Bondi, Sidnei – i cili vrau të paktën 15 persona.

Më shumë se 1,000 persona po festonin festën hebraike të Hanukkah në plazh të dielën në mbrëmje, kur dy persona hapën zjarr ndaj tyre.

Personat e vrarë në sulm janë nga 10 deri në 87 vjeç, përfshirë një rabin dhe një të mbijetuar të Holokaustit, ndërsa 38 të tjerë janë plagosur.

Një nga personat e dyshuar për sulm është identifikuar nga policia e New South Wales (NSW) si 24-vjeçari Naveed Akram, ndërsa tjetri është identifikuar si babai i tij 50-vjeçar, Sajid Akram.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button