Agjencia e OKB-së për Ushqimin: Rriten çmimet globale të ushqimeve

Çmimet botërore të ushqimeve u rritën me 2,4 për qind në mars nga muaji i kaluar, të nxitura nga kostot më të larta të energjisë të lidhura me përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, tha sot Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së (FAO).
Rritja në fjalë shënoi rritjen e dytë mujore radhazi, me çmimet që u rritën në të gjitha grupet kryesore të mallrave, duke përfshirë drithërat, mishin, produktet e qumështit, vajrat bimorë dhe sheqerin.
Indeksi i Çmimeve të Ushqimeve i FAO-s qëndroi 1,2 pikë ose 1 për qind më i lartë se një vit më parë.
Nga ana tjetër, Indeksi i Çmimeve të Drithërave u rrit me 1,5 për qind në 110.4 në bazë mujore dhe u rrit me 0.6 për qind nga viti në vit. Indeksi i Çmimeve të Vajit Perimor mesatarisht arriti në 183.1 pikë në mars, duke u rritur me 5,1 për qind nga shkurti dhe duke shënuar një rritje të tretë mujore radhazi, me rritje vjetore prej 13,2 për qind.
“Çmimet ndërkombëtare të vajit të palmës arritën nivelin e tyre më të lartë që nga mesi i vitit 2022 dhe kaluan në një premium mbi vajin e sojës, duke reflektuar kryesisht efektet anësore nga rritjet e ndjeshme të çmimeve të naftës bruto”, tha FAO-ja.
Gjithashtu Indeksi i Çmimeve të Mishit ishte mesatarisht 127.7 pikë, 1 për qind më shumë se shkurti dhe 8 për qind më i lartë se një vit më parë. Indeksi i Çmimeve të Produkteve të Qumështit u rrit me 1,2 për qind në muaj në 120.9 pikë, por mbeti 18,7 për qind nën nivelin e tij në mars 2025.
FAO-ja tha se rritja u nxit kryesisht nga çmimet më të larta të naftës bruto, të cilat rritën pritjet se Brazili, eksportuesi kryesor i sheqerit në botë, do të ndajë më shumë kallam sheqeri për prodhimin e etanolit.
“Presioni shtesë në rritje mbi çmimet e sheqerit buroi nga shqetësimet mbi ndikimin e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Afërt në flukset e tregtisë së sheqerit”, shtoi ajo.


