Afro 40% e popullsisë në Ballkan jeton jashtë vendit, alarmoi Banka Botërore

Më shumë se 40% e njerëzve të lindur në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë dhe Moldavi jetojnë jashtë vendit. Të dhënat bëhen të ditura nga një raport i fundit i Bankës Botërore që thekson se emigrimi ka kontribuar në tkurrjen e fuqisë punëtore, raporton Klan.
Këto flukse të konsiderueshme jashtë vendit përbëhen kryesisht nga individë në moshë pune me nivele aftësish mbi mesataren. Ekspertët e çështjeve të ekonomisë thonë se nuk janë vetëm vakanca në tregun e punës, por edhe pengesa për planin e zhvillimit të bizneseve.
“Krijohen vetëm vakanca, por bëhet totalisht e vështirë për interesat e planet për zhvillim të bizneseve dhe industrive të ndryshme për të përmbushur nevojat për burime njerëzore, duke i shtyrë ata më pas drejt një kërkese në tregun ndërkombëtar për të ofruar punonjës nga vende më pak të zhvilluara. Ky largim kaq masiv e ka bërë të pamundur për vendet e Ballkanit Perëndimor për të ndërtuar skema dhe mekanizma mbrojtës që duhet të ishin ata që kanë të bëjnë me rritjen e konkurrueshmërisë në tregjet e brendshme, që duhet të bënte me rritje e nivelit të pagave.”
Po ashtu, kjo mungesë e fuqisë punëtore pritet të ketë ndikim afatgjatë te brezat e rinj, pasi po mungojnë modelet e përvojës profesionale.
“Nuk ka modele përvojash nga e shkuara, por nga eksperienca komplekse të realizuara gjatë një pune e sipër me qëllim që të ecin me një bazë të shëndetshme për t’u zhvilluar përtej saj.”
Nga ana tjetër, mungesa e eksperiencës së punës po bëhet pengesë për punësimin e të rinjve të diplomuar. Vitet e fundit, hoteli-turizmi, ndërtimi dhe shërbimet po vuajnë mungesën e fuqisë punëtore.