Afganistani akuzon Pakistanin për shkelje të armëpushimit: 10 të vrarë nga sulmet ajrore

Pakistan ka ndërmarrë sulme ajrore brenda territorit të Afganistanit, duke vrarë të paktën 10 persona dhe duke shkelur armëpushimin që kishte sjellë dy ditë qetësie relative pas një periudhe të përgjakshme përplasjesh kufitare, kanë njoftuar zyrtarët afganë.

Armëpushimi 48-orësh kishte ndërprerë përkohësisht një javë përleshjesh të ashpra përgjatë kufirit, ku dhjetëra ushtarë dhe civilë nga të dyja palët kishin humbur jetën.

“Pakistani e ka thyer armëpushimin dhe ka bombarduar tre lokacione në provincën Paktika,” tha për agjencinë AFP një zyrtar i lartë i talebanëve, në kushte anonimiteti. “Afganistani do të hakmerret,” shtoi ai.

Sipas një zyrtari spitalor provincial, në sulmet ajrore janë vrarë 10 civilë dhe janë plagosur 12 të tjerë, mes tyre edhe dy fëmijë.

Pas sulmeve, një zëdhënës i qeverisë afgane njoftoi se zyrtarë nga të dyja vendet do të mbajnë bisedime emergjente në Doha të shtunën.
“Siç është premtuar, negociatat me palën pakistaneze do të zhvillohen sot në Doha,” deklaroi Zabihullah Mujahid.
Një delegacion i nivelit të lartë afgan, i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes, Mullah Muhammad Yaqoob, tashmë është nisur për në Katar.

Nga ana tjetër, televizioni shtetëror pakistanez raportoi se ministri i Mbrojtjes, Khawaja Asif, dhe shefi i inteligjencës, gjenerali Asim Malik, do të udhëtojnë në Doha për bisedime me talebanët afganë.

Ndërkohë, Bordi i Kriketit të Afganistanit (ACB) njoftoi se tre lojtarë afganë, të cilët ndodheshin në rajon për një turne, janë vrarë në sulmet e fundit ajrore, së bashku me pesë persona të tjerë.
Në një postim në rrjetet sociale, ACB tha se kriketarët “u shënjestruan gjatë një tubimi” në distriktin Urgun, pasi ishin kthyer në shtëpi nga një ndeshje miqësore në Sharana, kryeqyteti i provincës Paktika.

“ACB e konsideron këtë një humbje të madhe për komunitetin sportiv afgan, për atletët dhe për familjen e kriketit,” thuhet në deklaratë, duke shtuar se Afganistani tërhiqet nga Tri-Nation T20I Series, e planifikuar për muajin e ardhshëm dhe ku do të merrte pjesë edhe Pakistani.

Një zyrtar i lartë i sigurisë në Pakistan i tha AFP-së se forcat pakistaneze “kanë kryer goditje ajrore precize” në zonat kufitare afgane kundër grupit Hafiz Gul Bahadur, një fraksion lokal i lidhur me Talebanët e Pakistanit (TTP).
Islamabadi pretendon se i njëjti grup ishte përgjegjës për një sulm vetëvrasës dhe një sulm me armë në një kamp ushtarak në rajonin kufitar FATA, ku u vranë shtatë ushtarë pakistanezë.

Çështjet e sigurisë janë në qendër të tensioneve, pasi Pakistani e akuzon Afganistanin se strehuar grupe të armatosura të TTP-së në territorin e tij — akuzë që Kabuli e mohon.

Dhuna kufitare është përshkallëzuar ndjeshëm që nga e shtuna e kaluar, vetëm disa ditë pasi shpërthime tronditën Kabulin në momentin kur ministri i Jashtëm taleban filloi një vizitë historike në Indi, rivalen e përhershme të Pakistanit.

Talebanët më pas nisën një ofensivë përgjatë pjesëve jugore të kufirit me Pakistanin, duke bërë që Islamabadi të paralajmërojë “një përgjigje të fortë”.

Armëpushimi nisi të mërkurën në orën 13:00 sipas GMT-së, dhe pritej të zgjaste 48 orë, megjithatë Kabuli kishte deklaruar se do të qëndronte në fuqi “deri në shkeljen e tij nga Pakistani”.

Përpara sulmeve të fundit, Misioni i Ndihmës së OKB-së në Afganistan (UNAMA) kishte raportuar se 37 persona ishin vrarë dhe 425 ishin plagosur në anën afgane të kufirit, duke i bërë thirrje të dyja palëve të vendosin një armëpushim të qëndrueshëm.

Në Spin Boldak, ku pati luftime të ashpra, qindra persona morën pjesë në varrimet e të vrarëve të enjten, përfshirë edhe fëmijë të mbështjellë me qefin të bardhë.

“Populli ka ndjenja të përziera,” tha për AFP Nematullah, 42 vjeç. “Kanë frikë se luftimet mund të rifillojnë, por megjithatë dalin nga shtëpitë dhe vazhdojnë jetën.”

Më herët të premten, banorët përshkruan një ditë të qetë.
“Gjithçka është mirë, gjithçka është e hapur,” tha Nani, 35 vjeç. “Nuk kam frikë, por disa duan t’i dërgojnë fëmijët diku tjetër sepse mendojnë se situata mund të përkeqësohet — unë nuk besoj se do të ndodhë diçka.”

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button