Administrata Trump nxori urdhër ekzekutiv për mbrojtjen e sigurisë së Katarit

Administrata e Trumpit ka nxjerrë një urdhër ekzekutiv për të garantuar mbrojtjen e sigurisë së Katarit, duke përfshirë edhe ndërhyrje ushtarake nëse vendi sulmohet.
Ky urdhër erdhi tre javë pas sulmeve ajrore të Izraelit që kishin në shënjestër udhëheqësit e Hamasit në Doha, sulme që u kritikuan ashpër si nga zyrtarët katariotë ashtu edhe nga ata amerikanë.
Urdhri i lëshuar të hënën duket se synon ta sigurojë Katarin se një sulm i tillë nuk do të përsëritet, duke theksuar se çdo goditje ndaj vendit do të konsiderohej “kërcënim për paqen dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”
Katar, ku ndodhet baza më e madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, prej kohësh e sheh ShBA-në, ashtu si shumë fqinjë të Gjirit, si garantuesin kryesor të sigurisë. Kjo e bëri sidomos alarmant për zyrtarët katariotë sulmin e fundit të Izraelit, pavarësisht marrëdhënieve të ngushta të tij me Uashingtonin.
Urdhri ekzekutiv përcakton se nëse Katari vihet nën sulm, ShBA-ja duhet t’i “marrin të gjitha masat e ligjshme dhe të përshtatshme, përfshirë diplomatike, ekonomike dhe, nëse është e nevojshme, ushtarake për të mbrojtur interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shtetit të Katarit.”
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mbrojti sulmet e shtatorit, duke i përshkruar ato si pjesë e objektivit të kahershëm të Izraelit për të hakmarrë për sulmin e Hamasit ndaj jugut të Izraelit më 7 tetor 2023. Netanyahu ka akuzuar gjithashtu Katarin për ofrimin e një “strehimi të sigurt” për Hamasin.
Më vonë, llogaria zyrtare e kryeministrit izraelit në platformën X publikoi se Netanyahu, në një bisedë telefonike me kryeministrin e Katarit, kishte thënë: “Zoti Kryeministër, dua të dini se Izraeli shpreh keqardhje që një nga qytetarët tuaj u vra në sulmin tonë.”
Izraeli ka ruajtur marrëdhënie jozyrtare me Katarin, i cili, përkrah Egjiptit, ka vepruar si ndërmjetës në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Gaza.