Administrata e Trumpit shqyrton një ndalim të ri të udhëtimit që mund të prekë dhjetëra vende

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po shqyrton një ndalim të ri të udhëtimit që pritet të prekë qytetarët nga dhjetëra vende në shkallë të ndryshme, raportoi The New York Times.
Duke cituar zyrtarë anonimë, raporti i publikuar të premten tha se lista e hartuar nga qeveria amerikane përfshin 43 vende, të ndara në tre kategori kufizimesh të udhëtimit.
Grupi i parë, i përbërë nga 10 vende, përfshirë Afganistanin, Iranin, Sirinë, Kubën dhe Korenë e Veriut, do të përballej me një pezullim të plotë të vizave.
Në grupin e dytë, pesë vende – Eritrea, Haiti, Laosi, Mianmari dhe Sudani i Jugut – do të përballeshin me pezullime të pjesshme, që do të preknin vizat turistike dhe studentore, si dhe vizat e tjera të emigracionit, me disa përjashtime.
Grupi i tretë, që përfshin gjithsej 26 vende, përfshirë Bjellorusinë, Pakistanin dhe Turkmenistanin, do të përballej me një pezullim të pjesshëm të vizave amerikane nëse qeveritë e tyre “nuk marrin masa për të adresuar mangësitë brenda 60 ditëve”, thuhet në një dokument draft të administratës.
Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti për Reuters, tha se mund të ketë ndryshime në listë dhe se ajo ende nuk është miratuar nga administrata, përfshirë Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio.
Trump nxori një urdhër ekzekutiv më 20 janar, duke kërkuar kontrolle të shtuara të sigurisë për të gjithë të huajt që kërkojnë hyrje në SHBA, me qëllim identifikimin e kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare.
Ky urdhër i kërkonte disa anëtarëve të kabinetit që deri më 21 mars të dorëzonin një listë të vendeve nga të cilat udhëtimi duhet të pezullohej pjesërisht ose plotësisht për shkak të “mangësive të mëdha në verifikimin dhe filtrimin e informacionit”.
Ky veprim është pjesë e një fushate më të gjerë të ashpërsimit të politikave të emigracionit, të cilën Trump e nisi në fillim të mandatit të tij të dytë. Ai kishte paralajmëruar planin e tij në një fjalim në tetor 2023, duke premtuar të kufizonte udhëtimet nga Rripi i Gazës, Libia, Somalia, Siria, Jemeni dhe “çdo vend tjetër që kërcënon sigurinë tonë”.
Megjithatë, ndalimi i ri i propozuar i udhëtimit rikthen kujtimet e ndalimit të parë të Trump për udhëtarët nga shtatë vende me shumicë myslimane gjatë mandatit të tij të parë – një politikë që kaloi disa ndryshime përpara se të miratohej nga Gjykata e Lartë në vitin 2018. /Al Jazeera/